U mbajt seanca konstituive e Këshillit të Sigurimit në Maqedoninë e Veriut, u vlerësua se gjendja është stabile

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova thirri seancën konstituive të Këshillit të Sigurimit, e cila u mbajt sot me fillim nga ora 15:00, transmeton Portalb.mk.

“Këshilli për siguri në seancë konstatoi se gjendja në vend është stabile dhe nuk ka tregues për kërcënim të sovranitetit, integritetit dhe kufijve të shtetit”, raportoi Presidenca, duke konstatuar se insitucionet përgjegjëse rregullisht e ndjekin gjendjen.

Në këtë seancë që është udhëhequr nga presidentja Silkanovska, mori pjesë Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit, Hristijan Mickoski, kryeministri, Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme, Vllado Misajlovski, ministër i Mbrojtjes, dhe tre anëtarët e emëruar nga presidentja: Xhevdet Hajredini, Malinka Ristevska Jordanova dhe Vlado Spiridonov.

Presidenca paralajmëroi që çdo tre muaj do të ketë mbledhje të K;shillit, po në rast nevoje edhe më shpesh.

Në seancë, përveç anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, me ftesë të presidentes Siljanovska Davkova, mori pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, drejtoresha e Agjencisë së Inteligjencës, Gabriela Jakovleva dhe drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski.

Kujtojmë se për herë të fundit, Këshilli i Sigurimit është mbledhur më 1 nëntor 2023 ku u dikutua për situatën e sigurisë në vend dhe rajonin euroatlantik