Këshilli i Sigurimit të RMV-së: Situata e sigurisë në vend stabile, s’ka të dhëna për rrezikim të mundshëm

Sot u mbajt seanca e 19-të e Këshillit të Sigurimit, ku është diskutuar për situatën e sigurisë në vend dhe rajonin euroatlantik. Në seancë, përveç anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, me ftesë të presidentit Pendarovski, morën pjesë edhe drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe drejtori i Agjencisë për kundërzbulim, transmeton Portalb.mk.

Përfaqësuesit kompetentë të institucioneve informuan për çështjet aktuale të sigurisë që kanë të bëjnë me vendin dhe rajonin më gjerë, duke përfshirë agresionin rus kundër Ukrainës, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe situatën në veri të Republikës së Kosovës.

Për sa i përket situatës së sigurisë në vend, u vlerësua se është stabile dhe se nuk ka të dhëna për rrezikim të mundshëm të saj.

Si anëtare e NATO-s, Republika e Maqedonisë së Veriut është në koordinim të rregullt me ​​Aleancën dhe aleatët lidhur me aktivitetet e ndërmarra për forcimin e sigurisë në zonën euroatlantike.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit u konstatua nevoja që institucionet kompetente të vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të përgatisin skenarë të mundshëm sipas zhvillimit të ngjarjeve, me qëllim të ndërmarrjes në kohë të masave dhe aktiviteteve në kompetencë të tyre.

Presidenti Pendarovski, disa ditë më parë në një intervistë për “Click Plus” në TV 21, bëri të ditur se vendi ynë do të shtojë kontigjentin e tij në Kosovë në javët në vijim, me kërkesë të NATO-s.

Kujtojmë se për herë të fundit, Këshilli i Sigurimit është mbledhur më 23 janar 2023 ku poashtu në fokus ishte siguria në vend dhe rajonin euroatlantik.