U kërkuan kufizime në përdorimin e TikTok-ut pas rastit me anesteziologun në Maqedoninë e Veriut
Komisioni për Çështje Etike dhe Juridike i Odës së Mjekëve të Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për inicimin e procedurës për revokimin e përkohshëm të licencës së punës për mjekun anesteziolog të punësuar në Spitalin klinik në Tetovë. Kjo do të bëhet për shkak të publikimit nga ana e anesteziologut në aplikacionin TikTok të një videoje nga reparti i Gjinekologjisë ku po trajtoheshin shumë paciente.
Anesteziologu 43-vjeçar (V.D) nga 16 prilli ndodhet në paraburgim prej 8 ditësh, pasi ndaj tij prokuroria e Tetovës inicioi padinë për veprat, “punë e pakujdesshme në shërbim” dhe “incizim i paautorizuar”.
Akti i tij nxiti reagime të shumta, ndërsa spitali i Tetovës vendosi për largimin e tij nga puna, vendim ky që u miratua edhe nga Ministria e Shëndetësisë.
Ky rast, ndërkohë, ka ngritur edhe debate të shumta mbi keqpërdorimet dhe shkeljet e privatësisë në rrjetet sociale, sidomos në aplikacionin TikTok ku profilet e përdoruesve janë shumë pak të verifikuara sikur edhe ato çfarë publikohen e që konsiderohen si shkelje të privatësisë dhe abuzime me të drejtat dhe liritë individuale.
Sutki Ismaili, ekspert i çështjeve kompjuterike dhe njohës i rrjeteve sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet duhet të veprojnë, të paktën në ndalimin e përdorimit të këtij aplikacioni në institucionet e administratës shtetërore, arsimore, shëndetësore e të tjera.
Ai thotë se kufizimet që tashmë janë vendosur në disa shtete evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të aplikohen edhe në Maqedoninë e Veriut.
“Maqedonia e Veriut është një shtet, i cili më shumë po merret me pasojat se sa me shkaqet. Derisa në shumë shtete po ndërmerren masa, në Maqedoni të Veriut nuk shohim se po bëhet diçka konkrete. Por, ka mundësi që nëpërmjet ligjeve dhe rregulloreve, institucionet dhe të punësuarit derisa janë në vend të punës dhe gjatë kohës së punës të mos kenë të drejtë ta përdorin këtë aplikacion”.
“Keqpërdorimet mund të dëmtojnë institucionin në fjalë, individët dhe shoqërinë, andaj edhe duhet të ketë ndalesa. Pra, urgjentisht qeveria duhet të mblidhet dhe të formojë grupe të punës, sepse për ta kaluar këtë problem nuk mjafton vetëm edukimi mediatik, por shumë më tepër dhe nuk kanë kohë për të pritur”, thotë Ismaili.
Sipas tij, shqetësuese janë edhe të dhënat mbi sigurinë e aplikacionit TikTok, sikur edhe shkeljet e rënda të kodeksit etik.
“Sa është siguria në këtë aplikacion është një pikëpyetje e madhe dhe për këtë flasin edhe shtetet në mbarë botën, të cilat dita-ditës po hasin në probleme të shumta. Kodeksi etik i përdorimit dhe mbrojtja nga ky aplikacion nuk është ajo që kërkon një shoqëri e mirëfilltë me të gjitha tiparet e saj. Viteve të fundit po vërehet me të madhe se shfrytëzuesit po i keqpërdorin rastet me publikimin e videove të ndryshme dhe e gjithë kjo ndodh pasi nuk penalizime të duhura në shoqëri”, vlerëson Ismaili.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk ka një përgjigje konkrete nëse do të ndërmarrë masa kufizuese sa i përket përdorimit të rrjeteve sociale që nxisin dhunë, që shkelin privatësinë apo që përçojnë mesazhe devijuese.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha të martën se çdo ndalesë do të mund të interpretohej si kufizim apo ndalim i një rrjeti social që përdoret edhe si media.
Ai dënoi rastin me mjekun anesteziolog, ndërsa rikujtoi takimin e fundit me të dërguarin e Departamentit amerikan, James Rubin, më të cilin tha se ka biseduar edhe për punën e rrjeteve sociale dhe dezinformatat që tashmë kanë marr hov në Maqedoninë e Veriut.
“Nëse kryeministri thotë se duhet ndaluar një rrjet social që përdoret edhe si media, atëherë kjo mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Në pjesën e sigurimit të informimit të drejtë dhe të saktë, për dezinformatat, burimin e tyre të financimit e për gjëra të tjera javën e kaluar kemi biseduar edhe me të dërguarin e posaçëm të DASH-it, James Rubin, i cili ishte shumë i saktë në prononcimin për mediat. Tani bëhet fjalë për sjellje joetike, joprofesionale të një mjeku dhe unë mbështes vendimin e ministrit të Shëndetësisë për sanksionimin si dhe masat e policisë e të prokurorisë, pasi diçka e tillë nuk duhet të ndodhë askund e aq më pak në shëndetësi”, tha Kovaçevski.
Pasoja nga ndikimet në rritje të aplikacionit TikTok janë regjistruar edhe më herët në Maqedoninë e Veriut. Më 27 nëntor të vitit 2022 një vajzë e mitur kishte pësuar djegie të rënda nga rryma derisa ishte ngjitur në një vagon treni për të bërë video.
Ekspertët e rrjeteve sociale thonë se duhet të organizohen më shumë debate në media, por edhe në institucionet arsimore, për t’i njoftuar fëmijët, si dhe vetë prindërit rreth sfidës bashkëkohore të quajtur reputacion online, por edhe për t’i mbrojtur ata nga devijimet e shumta që mund të kenë pasoja në formësimin e tyre.