U “harrua” mbikëqyrja e gjuhës shqipe në bankat e RMV-së: Udhëheqësi dhe premtime të reja për probleme të vjetra

Pavarësisht se në muajin maj 2024 nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve thanë se do të mbikëqyrin zbatimin e gjuhës shqipe nëpër banka dhe nëse kjo nuk respektohet Inspektorati do të veprojë, katër muaj më vonë nga ky institucion nuk ka një përgjigje se nëse kanë kryer inspektim dhe cilat janë gjetjet, shkruan Portalb.mk.

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve arsyetohet se në krye të këtij institucioni është emëruar ushtrues i ri i detyrës së drejtorit i cili para një muaji e ka marrë detyrën dhe se i njëjti ende është duke u njoftuar me procedurat e mbikëqyrjes inspektuese, vështirësitë dhe problematikat me të cilat ballafaqohet ky institucion.

“Pas njoftimit të saktë dhe të drejtë në lidhje me kompetencat e Inspektoratit, u.d drejtori i Inspektoratit do të caktojë mbikëqyrje inspektuese gjithandej ku Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve ka kompetencë përfshirë edhe bankat”, thanë nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve.

Në fund të muajit korrik nga pozita e drejtorit të Inspektoratit u largua Fatmir Iseni ndërsa u emërua Arsim Idrizi.

Në muajin maj 2024, nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve në një deklaratë për Portalb.mk nëse do të veprojnë ndaj bankave për mospërdorimin e gjuhës shqipe, theksuan se do të veprojnë në këtë drejtim duke marrë parasysh edhe përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë se bankat dhe personat e tjerë juridikë që ushtrojnë kompetenca publike në përputhje me ligjin gjatë mbledhjes së depozitave dhe burimeve të tjera të kthyeshme të mjeteve duhet ta përdorin edhe gjuhën dhe alfabetin që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik.

Inspektorati paraprakisht kishte “paqartësi nuk e kishin të qartë nëse mundnin ose jo t’i gjobitin bankat për moszbatimin e gjuhës shqipe. Për këtë ata kërkuan mendim nga Ministria e Drejtësisë, mirëpo ky mendim u vonua dhe i njëjti u bë publik nga Portalb.mk.

Edhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhës mbeti e qëndrimit se bankat private në Maqedoninë e Veriut obligohen të pranojnë dokumente zyrtare në gjuhën shqipe të lëshuara nga institucionet shtetërore dhe të zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, por në praktikë bankat nuk e bëjnë këtë dhe arsyetohen se nuk e kanë për obligim.

Problematika me (mos)përdorimin e gjuhës shqipe nga ana e bankave u hap në shkurt 2024 nga organizata qytetare Më Mirë për Tetovën (MMPT).