U dogj varka në ishullin Rodos në Greqi, shpëtojnë turistët

Dhjetëra turistë u shpëtuan nga një varkë e cila u përfshi nga flakët në ishullin grek të Rodosit, raporton ABC.

Sipas autoriteteve në vendin fqinj roja bregdetare e Greqisë shpëtoi 82 turistët të cilët ndodheshin në varkë në momentin e shpërthimit të zjarrit. Sipas dëshmitarëve shumica e personave nxituan të hidheshin nga varka e cila ndodhej rreth 300 metra larg bregu pasi e gjithë kuverta prej druri u përfshi nga flakët.

Në bordin  e anijes turistike kishte edhe fëmijë të vegjël të cilët mbetën të traumatizuar nga ngjarja. Sipas asaj që shkruajnë mediat greke incidenti ndodhi në orët e pasdites të së enjtes ndërkohë që nuk raportohet për viktima apo persona të lënduar.

Ekipet e shpëtimit që iu afruan varkës për të ndihmuar në shuarjen e flakëve u përballën me vështirësi pasi e gjitha struktura e saj ishte prej druri. Roja bregdetare shpërndau menjëherë jelekë shpëtimi për të siguruar që të gjithë personat të largoheshin nga varka.