U arrit marrëveshje për specat e ajvarit pas protestave në Strumicë
Në vend të 25 denarëve, nga nesër në pikat e grumbullimit në Strumicë, speci për ajvar për kapacitetet e industrisë së konservimit dhe përpunimit do të blihet për 30 denarë kilogrami, transmeton Portalb.mk.
Kjo marrëveshje u arrit pasi fermerët protestuan për katër ditë.
Ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovsk pas takimeve me bujqit njoftoi se duke filluar nga nesër, specat e kuq do të blihen me çmim prej 40 denarësh për klasën e parë, 30 denarë për klasën e parë–të dytë, përkatësisht klasën për kapacitetet industriale, ndërsa çmimi për klasën e dytë do të jetë 15 denarë.
“Apeloj edhe te grumbulluesit edhe te bujqit që të bëjnë klasifikim real të specave të kuq në pikat e grumbullimit dhe të mos e kthejnë prodhimin. Për të shmangur manipulimet e mundshme, nga nesër do të forcohen kontrollet e Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë”, tha Serafimovski.
Sa i përket afatit për pagesën e specave, ai tha se nevojiten ndryshime ligjore. Për subvencionet, ministri tha se janë ndarë 1.2 milionë denarë, të cilat në mbledhjen e parë të Qeverisë do të dedikohen për blegtorët dhe bujqit, me qëllim që pagesat të kryhen deri në fund të gushtit.
Bujqit nga rajoni i Strumicës u shprehën të kënaqur për arritjen e marrëveshjes pasi disa ditë protestuan në rrugë. Ata presin që kjo marrëveshje e arritur të zbatohet në praktikë.