Tymuese në Kuvendin e Shqipërisë gjatë seancës së buxhetit, Berisha nuk paraqitet në policinë gjyqësore
Kuvendi i Shqipërisë me shumicë socialiste miratoi sot buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, në një seancë të shkurtër, teksa një grup deputetësh opozitarë protestuan me tymuese dhe përmbysje të karrigeve, duke kërkuar komisione hetimore, transmeton VOA.
Këta të fundit erdhën sërish herët në sallën e seancave plenare dhe përmbysën karriget e tyre pranë foltores, ku ishin rreshtuar një varg punonjësish të sigurisë.
Disa prej deputetëve opozitarë ndezën tymuese pranë foltores dhe në tryezat e tyre të punës në përpjekje për të pamundësuar zhvillimin normal të seancës, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Drejtuesja e Kuvendit, Lindita Nikolla, komunikoi rendin e ditës në mes të thirrjeve, zhurmave dhe tymrave, duke u kërkuar deputetëve opozitarë të merrnin pjesë në diskutimin e projekt-buxhetin e ri.
“Pse ju nuk doni të diskutoni për buxhetin? Pse ju nuk uleni të diskutoni për investimet dhe rritjen e pensioneve dhe pagave për punonjësit e shërbimeve publike?”, tha Nikolla.
Mes thirrjeve refuzuese në sallë nga disa deputetë të opozitës, ajo nisi procesin e votimit, ku buxheti i ri mori votat pro të deputetëve të majtë.
Ish kryeministri Sali Berisha deklaroi se votimi i buxhetit është antikushtetues nga një shumicë e frikësuar prej aksionit opozitar.
“Kjo shumicë vazhdon të shkelë të drejtat kushtetuese të opozitës për komisione hetimore parlamentare. Aksioni opozitar do të vazhdojë pa ndalim për të rikthyer demokracinë në vend”, tha Berisha.
Ndërsa drejtuesi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, shprehu habinë dhe keqardhjen pse opozitarët nuk morën pjesë sot në shqyrtimin e buxhetit më të madh me rritje pagash dhe investimesh, prej mbi 7 miliardë eurosh, që ka ardhur ndonjëherë në Kuvend.
“Kjo është shfaqje e luftës së brendshme në radhët e Partisë Demokratike. Ne nuk do ta lëmë vendin pa buxhet. Ne nuk kemi krizë. Krizë ka opozita”, tha Çuçi.
Prej disa seancash me radhë një grup deputetësh opozitarë po përpiqen me këtë formë protestash të frenojnë veprimtarinë e Kuvendit në komisione dhe në seancë plenare.
Por socialistët kanë vazhduar mbledhjet online në komisione dhe me seanca të shkurtuara në seanca plenare, ku foltorja bllokohet me karrige nga opozitarët.
Përfaqësues të Partisë Socialiste janë shprehur se ky grup deputetësh opozitarë kanë zgjedhur këtë mënyrë sjellje vetëm për të mbrojtur interesat personale të ish kryeministrit Berisha, i cili është shpallur së fundi person nën hetim nga Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme kundër krimit dhe Korrupsionit për çështjen e ish Kompleksit Sportiv Partizani.
Kryeministri Edi Rama reagoi përmes platformës X (e njohur si Tëitter) duke theksuar se opozitarët kanë prekur fundin, duke i krahasuar me një anije që po mbytet.
Ai shkroi se këta opozitarë “futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve, duke mbjellë sherr, rrëmujë, dhunë dhe korrur humbje”.
Rama theksoi se ata i ka marrë me vete zoti Berisha, si një i kërkuar nga drejtësia, i cili nuk do t’i lëshojë derisa të copëtohen.
Ndërsa Partia Demokratike e opozitës u “distancua nga dhuna dhe bojkoti”. Në një deklaratë të saj të publikuar nga sekretari për programin, Arbi Agalliu, thuhet se seanca e sotme për buxhetin ishte më e rëndësishmja e vitit, por ndodhi një skenar i përbashkët bllokimi, ku nuk u kuptua kush e ndizte flakën e kush e fikte flakën.
“Asnjë hapësirë në seancë plenare dhe në komisione për të diskutuar buxhetin klientelist dhe shpenzimet marramendëse, që shkojnë shumica për koncensione korruptive dhe PPP-të. Vet e ndezin dhe vet e fikin, sepse disa kanë halle e probleme personale me drejtësinë, sidomos me SPAK-un, e disa të tjerë përfitojnë për të kaluar në vetëm 10 minuta dhe pa asnjë diskutim, projekt buxhetin për vitin 2024”, theksoi Partia Demokratike e opozitës.
Berisha është shpallur person non grata nga SHBA-të për shkak të korrupsionit dhe cënimit të demokracisë dy vjet më parë, ngjarje që u pasua me zhvillime të vrullshme në Partinë Demokratike, e cila është ndarë në grupime pro dhe kundër tij.
Ish kryeministri Sali Berisha nuk u paraqit as sot para një oficeri të policisë gjyqësore, duke mos zbatuar sërish vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, të cilin sërish e quajti antikushtetues para gazetarëve.
Kjo është hera e dytë, që Berisha shkel masën e sigurisë që Gjykata ka vendosur ndaj tij për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, si person nën hetim në çështjen mbi procedurat për privatizimin e ish kompleksit sportiv Partizani.
Kodi i Procedurës Penale parashikon që në një rast të tillë “Gjykata mund të vendosë një masë tjetër më të rëndë”, e cila do të ishte “arresti në shtëpi”.
E atëherë Prokurorisë do t’i duhet në mënyrë të pashmangshme që t’i kërkojë autorizim Kuvendit për masën e re.
Mbetet për t’u parë se çfarë qëndrimi do të mbajë Gjykata ndaj refuzimit të përsëritur të ish kryeministrit për të zbatuar vendimin e saj. Një masë tjetër sigurie ndaj tij është ndalimi i udhëtimeve jashtë vendit.
Duke mbrojtur idenë se Prokuroria duhet të kishte kërkuar autorizimin e parlamentit, Berisha ka këmbëngulur se masat e sigurisë ndaj tij janë në shkelje të Kushtetutës.
Megjithatë, ai përmes avokatëve të tij, ka bërë ankimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit, ku u zhvillua sot seanca për këtë cështje.
“Në mënyrë shterruese kemi paraqitur gjithë argumentet, që jo vetëm masat e sigurimit nuk qëndrojnë, por edhe në thelb çështja nuk qëndron. Është një farsë. As juridike jo. Kemi shpjeguar me detaje Gjykatës së Apelit gjithë pretendimet tona dhe të gjithë shkeljet proceduriale, që janë bërë në Gjykatën e shkallës së parë”, tha avokati i ish kryeministrit Berisha, Genc Gjokutaj.
Apeli pritet të dalë nesër më një vendim për çështjen e masave të sigurisë. Ndaj Berisha nuk ka një akuzë. Ai dyshohet për korrupsion në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili është arrestuar.
Me masë sigurie detyrim paraqitje dhe moslargim nga vendi është edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, me të cilin Malltezi ishte ortak në ndërtimin e një kompleksi pallatesh mbi truallin e ish klubit Partizani.