Në Shqipëri u mblodh Komisioni për Evropën i Organizatës Botërore të Turizmit

Në Tiranë po mbahet takimi i 70-të i Komisionit për Evropën i Organizatës Botërore të Turizmit, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga disa vende, raporton Anadolu.

Në fjalën e tij në hapje të takimit, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se shpresojnë shumë që me anën e turizmit, të kuptojnë akoma dhe më shumë, jo vetëm për rëndësinë që ka turizmi për ekonominë, por edhe për ndjesinë e humanitetit që mund të ofrohet për njëri-tjetrin.

“Sot kemi një realitet tërësisht ndryshe me më shumë se 10 milionë turistë që kaluan në Shqipëri vjet, që kanë ardhur pra, kanë ndenjur në Shqipëri dhe me shifra shumë të larta gjatë këtyre muajve të parë të vitit. Sigurisht që ky nuk është vetëm sukses, kjo nuk është vetëm gjë e mirë, në vetvete sigurisht që është, por është dhe një sfidë e madhe sepse ka shumë gjëra për të cilat ne duhet të mendojmë, që duhet t’i zgjidhim në rast se dëshirojmë që Shqipëria të ecë përpara në mënyrë të qëndrueshme”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama theksoi se duhet të ruajnë natyrën dhe duhet të ndërtojnë gjëra me arkitekturë të bukur.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, u shpreh se sot Shqipëria është një surprizë e bukur në zhvillimin e turizmit global dhe gati një simbol.

Kumbaro theksoi se për vitin 2023, Barometri i Organizatës Botërore të Turizmit e renditi Shqipërinë në vendin e parë në Evropë dhe të katërtën në botë për rritjen e flukseve turistike.

Në takimin e 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit, marrin pjesë drejtuesit e kësaj organizate dhe përfaqësues të ministrive të turizmit dhe institucioneve të tjera të sektorit të turizmit nga shtete të ndryshme.

Takimi vjen si një organizim i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë dhe Organizatës Botërore të Turizmit, ndërsa takimi në fjalë do të vijojë edhe nesër me konferencën mbi investimet.