TV21 zbuloi rezultatet e autopsisë: Vedat Ademi nuk vdiq nga alergjia

“32 vjeçari Vedat Ademi ka ndërruar jetë nga nekroza në muskulin e zemrës”, kështu thotë Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Shkup, të cilin e ka siguruar TV21, transmeton Portalb.mk.

Siç njofton Tv21, raporti nuk ka nxjerrë asnjë gjetje që rezulton se i nderi Ademi ndërroi jetë nga alergjia me analgin, siç kanë thënë familjarët se në Spitalin e Kumanovës më 17 Mars, 32 vjeçarit iu përkeqësua gjendja menjëherë pasi mori infuzionin ku në të i është shtuar edhe ampula e Analginit, si terapi kundër dhimbjeve.

Burime të TV21 bëjnë të ditur se ky raport do të refuzohet nga organi i akuzës, dhe do të kërkohet sërish rezultate të sakta për praninë e analginit në trupin e të ndjerit dhe efektet e saj në ditën kur ka ndërruar jetë.

Nga Prokuroria Publike nuk kanë dalë ende me informacion zyrtar për këtë rast. 

“Rezultatet e autopsisë do të publikohen nëse vërtetohet se vdekja ishte rezultat i veprës penale”, thonë nga Prokuroria Publike.

Nga Prokuroria shtuan se të gjitha informatat publikohen në kohën kur është e mundur sipas fazës së procedurës, sidomos kur bëhet fjalë për të dhëna shëndetësore.

Kujtojmë se më 16 maj, siç njoftoi Prokuroria Publike, Instituti i Mjekësisë Ligjore ia dorëzoi Prokurorisë Themelore Publike në Kumanovë gjetjet e autopsisë për 32 vjeçarin nga Kumanova Vedat Ademi i cili vdiq në Spitalin e Kumanovës, dhe se gjetjet po shqyrtohen në korelacion me prova të tjera, pas së cilës do të merret vendimi i prokurorit.

Deri më 4 prill zëdhënësja e Prokurorisë njoftoi se kishin marrë vetëm raportin e komisionit të posaçëm të ngritur përmes Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor, dhe jo atë të Mjeksësisë Ligjore.

Ajo pati thënë se të dyshuarit mund të akuzohen për njërën apo të dy veprat penale: “Mjekim i pandërgjegjshëm i të sëmurëve” dhe tjetra “Vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve”.

Por, për të ngritur akuzën, prokuroria ishte në pritje të raportit të autopsisë.

Kujtojmë se 32-vjeçari Vedat Ademi nga Kumanova ndërroi jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës më 17 mars. Ai paraprakisht kishte shkuar për kontroll pasi ishte ankuar për probleme me stomakun.

Portalb.mk bisedoi me Amet Ademin babain e 32-vjeçarit të ndjerë Vedat Ademi dhe Sead Ademin vëllain e të ndjerit, ata thanë se i është dhënë ilaç ndaj të cilit ishte alergjik, dhe se për këtë fajësojnë mjekun i cili ishte kujdestar, Zoran Gjeorgjievski.

Drejtori i Spitalit, Stefan Trajanovski pranoi se i është dhënë terapi, por se në vend të përmirësimit ai ka pasur dhimbje në gjoks pas çka ka ndërruar jetë.

Policia e konfirmoi rastin, dhe deklaroi se pas urdhrit të prokurorit, trupi i pajetë ishte dorëzuar për autopsi dhe ende priten rezultatet.

Më 19 mars Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari e shkarkoi drejtorin Stefan Trajanovski, në vend të tij u caktua Sasho Stoshevski.

Pas autopsisë pritet të qartësohet përgjegjësia e mjekut kujdestar.