Turqia evakuoi aktivistët pasi anija e Flotiljes Globale “Sumud” u prish në Mesdhe

Turqia ndërhyri të dielën për të evakuuar aktivistët nga “Flotilja Globale Sumud” që shkonte për në Gaza, pasi një nga anijet e saj pësoi defekt mekanik në Mesdhe, transmeton Portalb.mk.

Sipas organizatorëve të flotiljes, anija Johnny M pati një rrjedhje në hapësirën e motorit, duke nxitur një operacion të koordinuar shpëtimi.

Flotilja, e cila u nis nga Barcelona në fillim të këtij muaji, synon të sfidojë bllokadën detare të Izraelit dhe të ofrojë ndihmë simbolike në Gaza.

Pasagjerët përfshijnë aktivisten suedeze të klimës Greta Thunberg, si dhe aktivistë nga e gjithë Evropa dhe Shtetet e Bashkuara.

“Të gjithë pasagjerët janë transferuar shëndoshë e mirë në një anije tjetër,” thanë organizatorët në Instagram.

“Disa do të vazhdojnë me flotiljen, ndërsa të tjerët do të zbarkojnë në tokë.” Defekti ndodhi në ujërat ndërkombëtare midis Kretës, Qipros dhe Egjiptit. Autoritetet turke, të mbështetura nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke, mbikëqyrën evakuimin.