Trump zbuloi planin për ndërtimin e luftanijeve të reja

Presidenti Donald Trump zbuloi planin për ndërtimin e një luftanijeje të re, “USS Defiant”, në kuadër të programit të tij “Trump-class” për zgjerimin dhe forcimin e flotës detare amerikane, raporton Euronews.

“Do të jenë më të mirat në botë. Do të jenë më të shpejtat, më të mëdhatë dhe 100 herë më të fuqishme se çdo luftanije e ndërtuar ndonjëherë”, deklaroi lideri amerikan gjatë njoftimit të bërë nga rezidenca e tij Marg a Lago, në Florida.

Sekretari amerikan për Marinën, John Phelan e krahasoi mjetin e ri lundrues me atë të vjetër “USS Iowa”, që udhëhoqi betejat detare amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Anija, që pritet të peshojë më shumë se “Iowa”, do të jetë e pajisur me raketa hipersonike, raketa kruis bërthamore, artileri, rreze të fuqishme laser dhe teknologji që për momentin janë në faza të ndryshme zhvillimi.

Marina amerikane ka shpenzuar më shumë se 15 vjet në përpjekje për të vendosur një artileri të përmasave të mëdha në një anije, por hoqi dorë nga përpjekjet në vitin 2021 pasi kishte investuar disa qindra milionë dollarë për projektin. Ndërkohë, teknologjia me rreze laser ka rezultuar më e suksesshme, edhe pse përdorimi i saj mbetet i kufizuar.

Trump, i cili theksoi se marina është në “nevojë të dëshpëruar” për mjete lundruese të avancuara, tha se fillimisht do të punohet për dy luftanije, me synimin përfundimtar për ta zgjeruar flotën nga 20 në 25 mjete të tilla. Ato do të peshojnë nga 30 mijë deri në 40 mijë tonë.

“Ne do ta quajmë atë Flotën e Artë, të cilën po e ndërtojmë për Shtetet e Bashkuara. Sikurse dihet, ne kemi nevojë urgjente për anije, pasi shumë prej tyre janë të vjetra dhe janë harruar. Ndaj, duhet të ecim në drejtimin e kundërt”, tha Trump.