Trump shtyu sulmet ushtarake ndaj termocentraleve iraniane pas diskutimeve ‘të mira dhe produktive’
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se SHBA-të kanë pasur biseda të mira dhe produktive me Iranin dhe se ai do t’i urdhërojë ushtrisë të shtyjë çdo sulm ushtarak kundër termocentraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane, transmeton Portalb.mk.
“Kam kënaqësinë të raportoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendi i Iranit kanë pasur, gjatë dy ditëve të fundit, biseda shumë të mira dhe produktive në lidhje me një zgjidhje të plotë dhe totale të armiqësive tona në Lindjen e Mesme”, postoi Trump në platformën e tij Truth Social.
“Kam udhëzuar departamentin e luftës të shtyjë çdo sulm ushtarak kundër termocentraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesë-ditore, në varësi të suksesit të takimeve dhe diskutimeve në vazhdim”.
Trump tha të shtunën se po i jep Iranit 48 orë – deri pak para mesnatës të hënën – për të hapur ngushticën e Hormuzit, rruga ujore jetësore që po bllokohet në mënyrë efektive nga Irani, e cila transporton rreth një të pestën e furnizimeve globale me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Teherani tha se do të “shkatërronte në mënyrë të pakthyeshme” infrastrukturën thelbësore në të gjithë Lindjen e Mesme, duke përfshirë sistemet jetësore të ujit, nëse SHBA-të do të ndiqnin kërcënimin e Trumpit.
Irani tha gjithashtu se do të godiste termocentralet në të gjitha zonat që furnizojnë me energji elektrike bazat amerikane, “si dhe infrastrukturat ekonomike, industriale dhe energjetike në të cilat amerikanët kanë aksione”.