Trump dënohet dhe 35 milionë dollarë duhet t’i paguajë shtetit Nju-Jork se i ka gënjyer bankat për vlerën e pronës së tij

Një gjykatës në Nju Jork vendosi të premten kundër ish presidentit Donald Trump, duke e gjobitur me 355 milionë dollarë për atë që gjykatësi e quajti një skemë shumëvjeçare për të mashtruar bankat dhe të tjerë, nëpërmjet deklaratave financiare që frynë artificialisht vlerën e pasurisë së ish-presidentit. Gjykata gjithashtu ia ndaloi ish presidentit të ushtrojë aktivitet biznesi në Nju Jork për tre vite, transmeton VOA.

Gjykatësi Arthur Engoron e dha vendimin pas gjyqit që zgjati dy muaj e gjysëm, gjatë të cilit kandidati kryesor republikan për president dëshmoi se është bërë viktimë e një sistemi të manipuluar ligjor.

Dy djemtë e tij më të mëdhenj, Donald Trump Jr. dhe Eric Trump, që janë zëvendës presidentë ekzekutivë të Organizatës Trump, u urdhëruan të paguajnë nga 4 milionë dollarë dhe iu ndalua të punojnë në kompanitë në Nju Jork për dy vite. Ish kryefinancieri Allen Weisselberg u urdhërua të paguajë 1 milion dollarë.

Në një deklaratë pas dhënies së vendimit, ish presidenti Donald Trump sulmoi gjykatësin dhe prokuroren dhe e quajti procesin “një gjueti shtrigash” politike. Ish presidenti e quajti vendimin më herët “një falsitet të plotë dhe total” në platformën e tij të medias sociale Truth Social, ku shkruajti se prokurorja e Nju Jorkut Letitia James “ka qenë e fiksuar për ta kapur Trump-in prej vitesh” dhe se vendimi i gjykatësit Engoron ishte “i paligjshëm, një vendim joamerikan ndaj meje, familjes time dhe biznesit tim të jashtëzakonshëm”.

Dënimi i ashpër është një fitore për prokuroren e Nju Jorkut, Letitia James, e zgjedhur nga radhët e demokratëve, e cila ngriti padi ndaj ish presidentit Trump, për atë që e quajti jo thjesht një mburrje e padëmshme, por vite të tëra praktikash mashtruese, ndërsa ai shtonte koleksionin e godinave të larta, fushave të golfit dhe pronave të tjera në shumë vende të botës, të cilat e ndihmuan për të fituar famë dhe në vazhdim Shtëpinë e Bardhë.

Avokatët e Trump patën thënë që përpara dhënies së vendimit se do ta apelonin atë.

Vendimi pritet të luajë rol të rëndësishëm në një javë të ngarkuar dhe të rëndësishme për kalendarin e ardhshëm gjyqësor të ish presidentit.

Prokurorja James pati kërkuar gjoba prej 370 milionë dollarësh dhe ndalimin e Trump dhe personave të tjerë për të bërë biznes në shtetin e Nju Jorkut.

Gjatë gjyqit u pyetën rreth 40 dëshmitarë, ndër ta edhe vetë Trump. Argumentat përmbyllëse ishin bërë në datën 11 janar. Procesi u drejtua nga një gjykatës i vetëm, pasi juritë gjyqësore nuk lejohen në këtë shtet për padi të tilla dhe as zyra e prokurores dhe as avokatët mbrojtës nuk kërkuan juri.