Triumf i artit shqiptar në Lubjanë: U përmbyll ekspozita “Nga Dardania në Pavarësi”, me pjesëmarrje të artistëve nga RMV-ja

Nën kurimin e artistes dhe Drejtoreshës së Departamentit të Kulturës në Institutin Shqiptaro-Evropian, Emine Jetishi, u përmbyll me sukses rrugëtimi i ekspozitës kolektive ndërkombëtare “Nga Dardania në Pavarësi”. Ky projekt madhor artistik shërbeu si një urë lidhëse mes historisë së lashtë dardaniane dhe rrugëtimit drejt lirisë, duke u prezantuar para publikut në Slloveni përmes tri stacioneve kryesore: Lubjanës, Koprit dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës, shkruan Portalb.mk.

Ekspozita nisi rrugëtimin e saj më 23 mars në Lubjanë, në bashkëpunim me shoqatën “Migjeni”. Projekti u konceptua si një reflektim mbi kujtesën, sakrificën dhe qëndresën që kanë formësuar identitetin kombëtar shqiptar ndër vite.

Simbolika arriti kulmin më 24 mars në qytetin bregdetar të Koprit, në bashkëpunim me shoqatën “Iliria”. Ky stacion përkoi me përvjetorin historik të fillimit të shpresës për lirinë e Kosovës, duke i dhënë ekspozitës një dimension të fuqishëm emocional. Sipas kuratores Jetishi, ky aktivitet ishte një dëshmi se arti mbetet gjuha më e lartë e shpirtit për të nderuar lirinë.

Foto nga ekspozita “Nga Dardania në Pavarësi”. Foto: Emine Jetishi
Foto nga ekspozita “Nga Dardania në Pavarësi”. Foto: Emine Jetishi

Përmbyllja madhështore u realizua më 3 prill në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Lubjanë. Ky eveniment mblodhi personalitete të kulturës, diplomacisë dhe bashkatdhetarë, duke e shndërruar selinë diplomatike në një qendër të vërtetë të artit dardan.

“Ky projekt ishte një urë e padukshme që lidh rrënjët tona të lashta me frymën e lirisë që jetojmë sot. Arti është një diplomaci e heshtur, por tejet e fuqishme e identitetit tonë kombëtar,” u shpreh kuratorja Emine Jetishi gjatë fjalës përmbyllëse.

Në këtë ekspozitë prezantuan veprat e tyre tetë artistë: Donjeta Krasniqi Kabashi, Emine Jetishi, Fatos Kabashi, Laureta Vogliqi, Ragip Salihu dhe artistët nga Maqedonia e Veriut Astrit Rexhepi, Berat Beqiri , Ylber Dauti.

Foto nga ekspozita “Nga Dardania në Pavarësi”. Foto: Emine Jetishi
Foto nga ekspozita “Nga Dardania në Pavarësi”. Foto: Emine Jetishi