Transporti publik falas: A do të hiqet diskriminimi ndaj studentëve të universiteteve private?
Qyteti i Shkupit ka bërë diskriminim indirekt për një kohë të gjatë në bazë të statusit personal dhe social ndaj studentëve nga universitetet private, duke mos u siguruar atyre transport publik falas, siç është rasti me kolegët e tyre nga institucionet shtetërore të arsimit të lartë. Është ky konstatimi i Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KPMD) pas ankesave të parashtruara nga dy studentë nga Kumanova, ku ata thonë se ndjehen të diskriminuar në raport me studentët e rregullt në universitetet shtetërore, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Tani, Qyteti i Shkupit ka 60 ditë kohë për ta korrigjuar këtë shkelje të së drejtës për barazi. Nga kabineti i kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska nuk japin përgjigje nëse dhe si do të veprojnë, por nëse nuk e zbatojnë rekomandimin e Komisionit, atëherë do të përballen me denoncim kundërvajtës.
Studentët e universiteteve private vazhdojnë të mos kenë transport publik falas në kryeqytet, pasi që këtë të drejtë Qyteti i Shkupit këtë vit ua mundësoi vetëm studentëve të rregullt të regjistruar në institucionet shtetërore të arsimit të lartë. Beteja e këtyre studentëve me institucionet po vazhdon prej vitesh, por tani, pas konstatimit të KPMD-së se Qyteti i Shkupit ka bërë diskriminim, ka një zhvillim të ri të gjithë situatës.
Qyteti i Shkupit ka kryer diskriminim (in)direkt dhe të vazhdueshëm ndaj studentëve të fakulteteve private
Pranë këtij Komisioni kanë arritur parashtresa nga një student dhe studente nga Kumanova, të cilët kanë deklaruar se ndjehen të diskriminuar ndaj kolegëve të tyre studentë nga fakultetet shtetërore për shkak të pamundësisë për ta shfrytëzuar transportin publik falas.
Dy studentët në parashtresat e tyre e kanë përfshirë edhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), por Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk ka konstatuar përgjegjësi tek ky institucion, sepse ky institucion nuk ka marrë vendime për transportin falas të studentëve, por vetëm ka zbatuar Vendimet e qeverisë.
KPMD në mendimin e saj ka konstatuar diskriminim të vazhdueshëm të drejtpërdrejtë ndaj studentëve që kanë dorëzuar parashtresat, por edhe diskriminim indirekt të vazhdueshëm ndaj të gjithë studentëve të rregullt në universitetet private.
Përndryshe, diskriminimi i vazhdueshëm ligjërisht konsiderohet si një formë më e rëndë e diskriminimit, sepse kryhet ndaj një ose një grupi personash në mënyrë të vazhdueshme, për një periudhë më të gjatë kohore, siç është rasti me transportin falas të studentëve që filloi të zbatohet në vitin 2016.
Kur Komisioni ka kërkuar nga Qyteti i Shkupit që të deklarohet për këtë rast, nga atje janë përgjigjur se Qyteti i hedh poshtë plotësisht të gjitha akuzat për diskriminim e kryer.
Në mendimin e tij Komisioni thekson se në Ligjin për Arsimin e Lartë nuk bëhet kurrfarë dallimi gjatë definimit të statusit, të drejtave dhe detyrimeve ndërmjet studentëve të regjistruar në universitetet shtetërore dhe private, e as në ligjet për standardet e studentëve dhe për vaktet e subvencionuara të studentëve.
Në rastin konkret, Komisioni ka vlerësuar se Qyteti i Shkupit, duke siguruar transport falas vetëm për studentët e universiteteve shtetërore për një periudhë të gjatë kohore, ka krijuar kushte për përjashtim, dallim dhe pamundësim për përdorimin e shërbimit për studentët nga universitetet private në kushte të barabarta me të tjerët, gjë që paraqet diskriminim të vazhdueshëm të drejtpërdrejtë e cili ende po vazhdon.
“Në bazë të asaj që u prezantua, Komisioni konstatoi se Qyteti i Shkupit me vendimet e tij për dhënien e subvencioneve për NQP Shkup për ofrimin e transportit falas për studentët e rregullt në studime deridiplomike nga universitetet shtetërore, nga buxheti i tij, për një periudhë të gjatë kohore vendos studentët të rregullt në studime universitare deridiplomike të regjistruar në universitetet private, në mesin e të cilëve ndodhet edhe studenti që ka dorëzuar parashtresën, në disavantazh dhe vendos ndaj tyre një trajtim të pabarabartë, duke i përjashtuar ata nga qasja në transportin publik falas në mënyrë të barabartë me studentët e regjistruar në universitetet publike, në një situatë krejtësisht të krahasueshme, që përbën shkelje e së drejtës për barazi, pra diskriminim”, thuhet në një nga mendimet e KPMD-së.
Heqje e diskriminimit ose procedurë për kundërvajtje kundër qytetit dhe Arsovskës
Sipas përfundimit, Komisioni tani i rekomandon Qytetit të Shkupit që në afat prej 30 ditësh nga marrja e Mendimit të përpiluar më 15 maj, t’u mundësojë studentëve nga Kumanova të cilët kanë dorëzuar parashtresat që të kenë të drejtën e shfrytëzimit të transportit publik falas në baza të njëjta me studentët nga universitetet shtetërore, por rekomandon edhe që të hiqet diskriminimi për të gjithë studentët në përgjithësi që janë në të njëjtin pozicion.
“Rekomandohet që kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, të iniciojë ndryshime dhe plotësime të Vendimit për ndarjen e subvencioneve për NQP Shkup, me të cilin do të përcaktohet e drejta për transport falas edhe për studentët e regjistruar në universitetet private, dhe sipas rrethanave do të sigurohen mjete për transport falas të të gjithë studentëve të rregullt në studime deridiplomike në universitetet shtetërore dhe private për vitin 2023, me qëllim eliminimin e cenimit të së drejtës për barazi, brenda 60 ditëve nga marrja e këtij Mendimi…”, thuhet në rekomandimin e Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.
Komisioni gjithashtu thekson se sipas Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, personat të cilëve u drejtohen rekomandimet janë të obliguar që të veprojnë sipas tyre brenda afatit të përcaktuar ligjor dhe se nëse të njëjtat nuk zbatohen, KPMD-ja është e obliguar që të dorëzojë kërkesë për fillimin e procedurës penale pranë gjykatës kompetente për kundërvajtje.
Sipas Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi edhe Qeveria ka krijuar kushte për trajtim të pabarabartë të nxënësve duke marrë vendime me të cilat e ka obliguar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës që të transferojë mjete nga buxheti i tyre në llogarinë e NQP Shkup, me qëllim të mbulimit të një pjese të shpenzimeve të kësaj ndërmarrjeje publike për sigurimin e transportit falas për studentët e studimeve deridiplomike në universitetet shtetërore për vitet akademike 202/2021 dhe 2021/2022. Megjithatë, Komisioni ka konstatuar edhe se praktika e tillë diskriminuese e Qeverisë ka përfunduar me vitin buxhetor 2022 dhe nuk ka vazhduar në vitin aktual akademik, pra rregulloret e saj nuk gjenerojnë më diskriminim.
Meta.mk në dy raste iu drejtua me pyetje Qytetit të Shkupit për atë se si e komentojnë mendimin dhe rekomandimet e KPMD-së dhe nëse do të veprojnë sipas tyre, por edhe pas dy javësh ende nuk ka përgjigje nga Qyteti i Shkupit dhe Kabineti i Arsovskës.
Institucionet të veprojnë, apelojnë studentët
Ndërkohë, studentët nga universitetet private për transportin publik në Shkup paguajnë nga 1.050 denarë në muaj, ose 12.600 denarë në vjet. Studentët me të cilët bisedoi Meta.mk thonë se jo rrallë herë gjobiten për mospasjen e biletave të vlefshme sepse duhet t’i rinovojnë ato vazhdimisht, ndërsa reagojnë edhe për kaosin që aktualisht mbretëron në transportin publik në kryeqytet.
“Për momentin, studentët, si unë, vazhdimisht i rinovojnë biletat mujore dhe paguajnë gjoba për mospasjen e kartelave të vlefshme. Personalisht deri më tani dy herë kam paguar gjobë për mungesën e kartelës për të përdorur transportin sepse nuk më takon një e tillë si student në një fakultet privat. Kjo është diçka e paimagjinueshme në vendet e huaja që ne i shohim si shembull. A është falas, a është me çmim më të ulët – në shoqëritë e zhvilluara demokratike studentët e përdorin transportin në kushte të njëjta”, thotë Filip Trajkovski, kryetar i Parlamentit Studentor Universitar në Universitetin “American College” në Shkup.
Me Trajkovskin pajtohet edhe kolegia e tij nga Parlamenti Studentor Universitar i Universitetit Amerikan në Evropë – FON (AUE-FON), Milla Petrushevska.
“Duke qenë se ne kemi të drejtë për vakte të subvencionuara të studentëve, të aplikojmë për bursë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, të vendosemi në një nga konviktet e studentëve – pse të mos kemi edhe të drejtë për transport publik falas? Kjo është njësoj si të bëni ndarje mes pensionistëve, për të cilët transporti publik është falas, në bazë të vendit ku kanë punuar –në sektorin publik apo atë privat. Ndërkohë, studenti si status nuk njeh ndarje në Kushtetutë dhe ligje. Përveç kësaj, tek ato nuk ka dallim as sipas madhësisë së pensioneve që marrin. Megjithatë, ne si studentë nuk kemi të ardhura dhe nevoja jonë për transport është shumë më e madhe për shkak të obligimeve tona të përditshme në fakultet. Pra, një gjë e tillë për ne do të ishte realisht një lehtësim financiar, sepse gjithsesi kemi shpenzime shumë më të larta, për dallim nga kolegët tanë në universitetet shtetërore”, thotë Petrushevska, e cila shton:
“Për 1.050 denarë që i paguajmë në muaj, gjithsesi rrallëherë arrijmë në leksione në kohë, sepse linjat e autobusëve nuk janë të rregullta, por rregullisht janë me vonesë. Nëse do duhet që të paguajmë, të paktën presim shërbim të mirë”.
Lufta e studentëve të universiteteve private për të fituar transport publik falas po zgjat tashmë me vite. Në vitin 2016, para Gjykatës Kushtetuese studentët parashtruan ankesë ndaj vendimit të atëhershëm të Qytetit të Shkupit, e cila vendosi se vendimi nuk ka bazë kushtetuese dhe i sugjeroi qytetit ndryshimin e tij. Mirëpo, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të votave nga gjyqtarët, ky aktgjykim nuk hyri në fuqi.
“Shkurt, Gjykata Kushtetuese e pa se ai vendim nuk ka bazë kushtetuese dhe i sugjeroi Qytetit të Shkupit që të njëjtin vendim ta ndryshojë në miratimin e ardhshëm. Si edhe çdo propozim tjetër, edhe ai ndoshta ka përfunduar diku në sirtarët e administratës së atëhershme pa u shqyrtuar asnjëherë. Nuk ka ligj që lejon që studentët e universiteteve private të përjashtohen nga përdorimi i çfarëdo shërbimi që mund ta shfrytëzojnë studentët e tjerë”, shpjegon Trajkovski nga American College.
Ai shton se shumë kolegë të tij – studentë i përdorin makinat si mjetin kryesor të transportit për në fakultet.
“Besoj se kjo do të reduktohej në mënyrë drastike nëse nxënësve u sigurohet transport urban falas dhe se ata do ta përdorin më shumë atë”, thotë Trajkovski.
Liderët e studentëve nga universitetet private u bëjnë apel institucioneve që të nisin punën për përmirësimin e standardeve studentore dhe t’i zgjidhin problemet e këtilla të studentëve, të cilat sipas tyre “nuk duhet të ekzistojnë në shekullin e XXI”. Në të kundërtën, ata paralajmërojnë për mënyra të tjera të shprehjes së pakënaqësisë.
“Unë shpresoj se nuk do të vijë puna deri tek procedura penale për shkak të mosrespektimit të afateve, por që Qyteti i Shkupit në këtë moment do të veprojë me maturi dhe do të miratohen ndryshimet dhe plotësimet zyrtare. Nga përvoja nga takimet me autoritetet, dua të them që tani se nuk do të pranojmë justifikime të llojit – krizë për shkak të koronës, nuk kemi para, inflacioni, llogari të bllokuara. Ne studentët nuk kemi asnjë të ardhur ndërsa ju i rritët pagat tuaja pa pikë turpi. Pra, nëse në 60 ditët e ardhshme nuk ka rezultat zyrtar ashtu siç duhet të ketë, ne studentët do të dalim masovikisht në protesta dhe nuk do të ndalojmë me kaq”, thotë Petrushevska, kryetare e PSU AUE-FON.
Asgjë nga transporti publik falas i paralajmëruar për të gjithë Shkupjanët
Betejë të ngjashme po bëjnë edhe nxënësit e shkollave të mesme private . Ata kërkesat e tyre i dërguan në Kuvend, nga ku kërkojnë ndryshime në Ligjin për Arsimin e Mesëm, me të cilin do të sigurohet transport publik falas për të gjithë nxënësit e regjistruar në shkollat e mesme publike dhe private.
Përndryshe, në fushatën e saj parazgjedhore në vitin 2021 si kandidate për kryetare të Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska premtonte se gjatë mandatit të saj do të zbatonte transport publik falas për të gjithë qytetarët e Shkupit. Kandidatura e saj më pas u përkrah edhe nga partia politike VMRO-DPMNE.
Në një pyetje gjatë pjesëmarrjes së tij në një emision të TV21 në tetor të vitit 2021, për atë nëse Arsovska do të bëhej kryetare e Qytetit të Shkupit, ajo dhe këshilltarët e VMRO-DPMNE-së do të përpiqen t’u japin status të barabartë të gjithë studentëve, pavarësisht nëse janë në universitete shtetërore apo private, kryetari i kësaj partie Hristijan Mickoski tha:
“Një nga projektet e Danella Arsovskës është pikërisht transporti publik falas për Shkupin, kështu që vetë kjo tregon se nuk do të ketë nevojë sepse të gjithë ata që e përdorin transportin publik do të kenë mundësi ta përdorin atë falas”.
Për momentin nuk ka njoftime se transporti publik në kryeqytet do të bëhet falas për të gjithë qytetarët, ndërsa gjatë muajve të kaluar mosmarrëveshjet mes kryetares Arsovska, NQP Shkup dhe transportuesve privatë u përshkallëzuan me bllokim të rrugëve dhe kolaps të trafikut, e më vonë edhe me transport publik kaotik pa autobusët e transportuesve privatë.