Toshkovski: Sjellja e kryeministrit Xhaferi ndaj punonjësve të SPB-Tetovë është e papranueshme

Ministri teknik i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, në lidhje me videon në të cilën shihet kryeministri teknik, Talat Xhaferi duke hyrë pa paralajmërim në ambientet e Sektorit për Çështje Administrative në SPB Tetovë, tha se kjo sjellje është e papranueshme dhe se nuk i ngjan një personi që ka një funksion si ai dhe se të paktën që mundet të bëjë tani është të kërkojë falje, shkruan Portalb.mk.

Nëpërmjet një reagimi, ministri i Punëve të Brendshme të RMV-së, Pançe Toshkovski, komentoi sjelljen e kryeministrit teknik, Talat Xhaferi në videon që u shpërnda dje, në të cilën shihet kryeministri, Xhaferi duke hyrë pa paralajmëron në ambientet e Sektorit për Çështje Administrative në Tetovë përderisa punonjësit ishin duke kryer obligimet e tyre.

Toshkovski tha se çdo punonjës në Ministrinë për Punë të Brendshme meriton respektin maksimal, pavarësisht të pozicionit të tij brenda hierarkisë apo çfarëdolloj përkatësie tjetër dhe se respekti duhet të shprehet nga të gjithë, pa marrë parasysh nëse është kryeministër, ministër apo kryen ndonjë funksion tjetër.

Ai gjithashtu sjelljen e kryeministrit, Xhaferi e quajti si të papranueshme dhe sipas tij nuk i ngjan një personi që ësht në funksion të kryeministrit.

“Një sjellje e tillë e kryeministrit ndaj punonjësve, veçanërisht ndaj një kolegu, e konsideroj të palejueshme, të pahijshme dhe nuk i ngjan një personi që kryen një funksion të tillë”, deklaroi ministri Toshkovski.

Sipas ministrit Toshkovski, të paktën që mundet të bëjë kryeministri Xhaferi në këtë moment është të kërkojë falje për sjelljen e tij dhe të përmbahet në të ardhmen ndaj këtyre veprimeve. Ai shtoi se veprimet e tilla nuk do të kontribuojnë në përmirësimin e punës së institucioneve.