Toshkovski paralajmëroi kontrolle të intensifikuara në rrugët e Shkupit, për një ditë janë gjobitur 63 vozitës

Policia mbrëmë ka zbatuar kontroll të përforcuar nëpër rrugët e Shkupit me qëllim sanksionimin e kundërvajtjeve të bëra nga drejtuesit e automjeteve. Në aksion, siç informoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, janë kontrolluar mbi 130 motoçikleta dhe motorë, ndërsa janë gjobitur 63 vozitës, transmeton Portalb.mk.

Nga këta, 32 drejtues mjetesh nuk kanë përdorur kaskë mbrojtëse gjatë drejtimit të automjetit, gjashtë drejtues kanë qarkulluar pa patentë shofer, 12 drejtues mjetesh kanë kategori të papërshtatshme, dy motoçikleta nuk janë të regjistruara dhe një drejtues ka kaluar në semafor të kuq.

“Në Ministrinë e Punëve të Brendshme në periudhën e fundit ka pasur shumë ankesa nga qytetarët për drejtim të pakujdesshëm dhe agresiv, sidomos nga drejtuesit e motoçikletave në qendër të Shkupit. Edhe unë kam qenë dëshmitar i sjelljeve të tilla të pahijshme që cenojnë rendin dhe qetësinë publike dhe sigurinë e qytetarëve. Për këto arsye personalisht kam iniciuar zbatimin e një kontrolli aksionar me qëllim të sanksionimit të këtyre shkeljeve dhe kthimit të sigurisë në rrugët tona”, ka shkruar Toshkovski në Facebook dhe ka bërë të ditur se kontrollet aksionare në kuadër të aksionit operativ do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme me rritje intensiteti.

Sipas Toshkovskit, statistikat e viktimave në trafik tregojnë se në Maqedoni ka më shumë viktima në krahasim me vendet e BE-së dhe MPB-ja në përputhje me kompetencat e saj po merr masa për ta ndryshuar këtë. Gjatë vitit të kaluar 2023 në tërë territorin e vendit në aksidente trafiku kanë ndodhur 127 viktima, prej të cilave 39 në Shkup. Për gjashtë muajt e parë të këtij viti janë 57 viktima, prej tyre 14 në Shkup.

“Ministria e Brendshme po fillon një luftë pa kompromis kundër të gjitha llojeve të krimit dhe çrregullimeve të rendit dhe qetësisë publike. Askush nuk ka të drejtë të prishë qetësinë e qytetarëve si në Shkup ashtu edhe në mbarë vendin, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një bandë kriminale droge apo një motoçiklist i pamatur që prish qetësinë dhe sigurinë e Bulevardit Aradhat Partizane. Ligji duhet dhe do të zbatohet për të gjithë dhe kushdo që e shkel atë do të dënohet”, tha kreu i policisë.