RMV, është pjesërisht e saktë deklarata se Qeveria për dy muaj të mandatit e zgjeroi listën pozitive të barnave
Në një deklaratë në lidhje me listën e zgjeruar pozitive të barnave nga Qeveria thonë se “në vetëm 2 muaj të mandatit Qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe FSSH e zgjeruan listën pozitive të barnave”. Kjo deklaratë është pjesërisht e saktë dhe atë për këto dy fakte: së pari, procedura për zgjerimin e listës së barnave ka filluar që në qershor të vitit 2023 dhe së dyti, kjo përbërje qeveritare e përfundoi procedurën e paralajmëruar prej kohësh nga ministrat e mëparshëm të shëndetësisë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
“Për vetëm 2 muaj të mandatit Qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe FSSH e zgjeruan listën pozitive të barnave. Pas një dekade, nga sot qytetarët do të mund t’i marrin barnat e reja në listën pozitive nga farmacitë. Listës iu shtuan nëntë barna të reja, gjegjësisht 87 barna me emra, forma dhe ambalazhe të ndryshme për tensionin e gjakut, sëmundjet e zemrës, anti-agregantë, barna për trajtimin e depresionit dhe demencës. Zgjerimi i fundit i listës pozitive u bë në vitin 2009 dhe në 2014 kur u shtua vetëm një bar. Por nga sot ajo është zgjeruar me 9 barna të rinj”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Para më shumë se një viti u krijua Коmisioni për listën pozitive kur ministër i shëndetësisë ishte Fatmir Mexhiti. Më pas ai tha se komisioni është i përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Shëndetësisë, FSSH-së, Agjencisë së Barnave, Institutit të Farmakologjisë Paraklinike, si dhe mjekë dhe specialistë nga klinikat universitare.
Më 23 qershor të vitit të kaluar zyrtarë të qeverisë së mëparshme rikujtuan se lista e barnave që mbulohen nga FSSH-ja nuk është azhurnuar qe 15 vjet dhe se duhet bërë pastrimi i saj, ndërsa bënë të ditur edhe se barnat që janë të vjetruara do të zëvendësohen me të reja.
“Prioritet shëndetësor i Qeverisë është zhbllokimi i procesit të vendosjes të barnave të reja në listën pozitive, të cilat janë në kurriz të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH), prandaj do të sigurojmë mekanizma për qasje adekuate dhe në kohë në barna dhe pajisje mjekësore moderne dhe cilësore”, thane nga Qeveria vitin e kaluar më 23 qershor.
Përndryshe edhe Bekim Sali, ish-ministri i shëndetësisë, tha se është frapant fakti që lista pozitive e barnave për herë të fundit është plotësuar me tre barna të reja në vitin 2012.
“Revolta e pacientëve të cilët shpenzojnë disa mijëra denarë në muaj për t’i siguruar barnat për të cilat kanë nevojë është plotësisht e arsyeshme. Për fat të keq rreth 40 përqind e barnave nuk gjenden më në treg, sepse janë vjetruar, e ndërkohë janë prodhuar barna të reja moderne”, deklaroi ish-ministri i shëndetësisë Sali në emisionin “Stadion“ në Kanal 77.
Duke pasur parasysh se procesi për ndryshimin e listës pozitive ka filluar një vit e tre muaj më pare, ndërsa nga sot barnat e reja janë në dispozicion në farmaci, deklaratën e Qeverisë “në vetëm 2 muaj të mandatit Qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe FSSH e zgjeruan listën pozitive të barnave”, e vlerësojmë si pjesërisht të saktë.