Padi ndaj tre policëve të Maqedonisë së Veriut pasi nuk e kishin dërguar në burg një të dënuar
Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj tre zyrtarëve policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale për moskryerjen e vendimit gjyqësor, transmeton Portalb.mk.
“Kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike kompetente për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për veprën penale “mosekzekutim të vendimit gjyqësor” sipas nenit 377 të KP ndaj T.L., I.D. dhe R.T., nëpunës policorë të SP me KP Manastir pranë SPB Manastir”, sqaroi Policia.
Ata në muajin qershor nuk e kishin dërguar në institucion penal personin e dënuar nga Gjykata Themelore e Kërçovës me një vjet burg. Tre të dyshuarit do të largohen nga puna, deri në zbardhjen e rastit.
“Pasi paraprakisht ishte gjetur dhe privuar nga liria, i dënuari A.A. nga Kërçova, i pandehuri i parë dhe i dytë janë dërguar në Burgun e INK Manastir, dhe pasi një punonjës i burgut u ka thënë se i dënuari nuk është pranuar për shkak të mungesës së vendeve të lira në burg, i denoncuari i parë dhe denoncuari i dytë, pa përgatitur asnjë dokumentacionin zyrtar, e kanë liruar të dënuarin pa miratimin e gjykatës”, sqaroi Policia.
Kjo vepër penale është kryer në dijeni të plotë të të pandehurit të tretë.