Nga 1 janari 100 euro gjobë për patentë shofer me emrin “Republika e Maqedonisë”

Urdhërpagesë kundërvajtëse dhe gjobë në shumën prej 100 euro do të marrë shoferi i cili nuk ka leje të vlefshme të vozitjes me emrin e ri të shtetit, kjo sipas Ligjit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor. Patentë shoferët me emrin e vjetër të shtetit “Republika e Maqedonisë” nuk do të jenë të vlefshme pas datës 31.12.2024, andaj MPB-ja apelon këto ditë që ato të zëvendësohen me të reja, përkatësisht, emri që do të figurojë në to duhet të jenë “Republika” e Maqedonisë së Veriut”, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Brendshme, pasi përmes një sërë aktivitetesh arriti të anulojë të gjitha problemet e mundshme të hasura me ndryshimin e dokumenteve personale dhe të sjellë proceset në normalitet (sipas normave ligjore), ka nisur një fushatë për lejet e vozitjes, njoftim dhe informim të qytetarëve, për të kryer zëvendësimin deri në afatin e zgjatur 31.12.2024. Sportelet e shërbimeve administrative funksionojnë me kapacitet të plotë dhe mund t’u shërbejnë qytetarëve për ndërrim të patentë shoferëve në afat të rregullt pa vonesa dhe turma”, thanë për Meta.mk nga MPB.

Në bazë të nenit 317 të Ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor, me rastin e drejtimit të mjetit motorik, shoferi është i detyruar të ketë me vete patentë shoferin dhe librezën e vlefshme të vozitjes, të cilat është i detyruar t’i tregojë me kërkesë të zyrtarit policor. Nëse nuk ka leje të vlefshme, do të duhet të paguajë gjobë prej 100 eurosh në denarë.

Në shkurt të këtij viti, u krijua kaosin gjatë dhënies së dokumenteve personale dhe dokumenteve të udhëtimit për shkak se qindra qytetarë po tentonin të caktonin termine për fotografim para afatit të 12 shkurtit. Ata mezi gjenin takime për shkak të numrit të madh të qytetarëve që aplikonin. Në atë periudhë nuk funksiononin as linjat telefonike për caktimin e terminit. Më pas reagoi Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, nga ku kanë vlerësuar se institucionet e shtetit sillen jashtëzakonisht poshtëruese ndaj qytetarëve të tyre, jo vetëm për shkak të gjithë kaosit që ka rreth nxjerrjes së dokumenteve, por edhe në lidhje me shkeljen e të drejtave kushtetuese të qytetarëve, prandaj kërkuan që institucionet të gjejnë sa më parë zgjidhjet e duhura dhe të amortizojnë dëmet që u shkaktojnë qytetarëve.

Kujtojmë se më 1 shkurt të këtij viti, Kuvendi miratoi në procedurë të shkurtuar ndryshimet ligjore sipas të cilave afati për ndërrimin e patentë shoferëve me emërtimin “Republika e Maqedonisë” do të jetë deri në fund të vitit, përkatësisht 31 dhjetor 2024.

Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.