Tinguj, ngjyra dhe buzëqeshje në Gostivar, nesër mbahet edicioni i 8-të i festivalit për fëmijë “Junior Fest 2025”

Nesër, më 25 tetor, në Qendrën për Kulturë në Gostivar, me fillim nga ora 16:00, do të mbahet edicioni i 8-të i festivalit “Gostivar Junior Fest 2025”, ngjarja më e madhe e dedikuar fëmijëve dhe talenteve të rinj në këtë qytet. Junior Fest mbetet një urë e artë mes fëmijërisë, ëndrrave dhe muzikës, aty ku çdo zë i vogël dëgjohet me zemër të madh, shkruan Portalb.mk.

Ky festival tashmë është shndërruar në një traditë të dashur për familjet gostivarase, duke sjellë në skenë këngë të reja, interpretime plot energji, skena shumëngjyrëshe dhe emocione të sinqerta fëmijësh. Që nga edicioni i parë, “Gostivar Junior Fest” ka për qëllim të zbulojë dhe inkurajojë talentet e reja muzikore, duke u dhënë fëmijëve mundësinë të shprehen në mënyrë artistike dhe të fitojnë përvojë skenike.

Betime Zylahi drejtoreshë e festivalit për Portalb.mk tha se ky festival është shndërruar në një traditë që bashkon artin, fëmijët dhe gëzimin.

“Ky aktivitet po rritet çdo vit, krahas dashurisë dhe interesit në rritje të fëmijëve për muzikën. Jam e lumtur që Gostivar Junior Fest është shndërruar tashmë në një traditë të bukur që bashkon artin, fëmijët dhe gëzimin. Ky eveniment tashmë i dashur për publikun, mbledh 25 pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët do të ngjiten në skenë për të dhuruar këngë, energji dhe emocione të veçanta”, tha Zylahi, duke theksuar se organizimi i këtij festivali kërkon përkushtim, dashuri dhe shumë punë prapa skenës.

Sipas saj, çdo vit, interesi i fëmijëve dhe prindërve për pjesëmarrje në këtë festival është gjithnjë e më i madh, çka dëshmon se muzika fëmijërore shqiptare po fiton hapësirën dhe vlerësimin që meriton.

“Gostivar Junior Fest nuk është vetëm një garë, por një përvojë e paharrueshme për çdo fëmijë që e do skenën, këngën dhe artin. Këtu ata mësojnë disiplinën, bashkëpunimin dhe ndarjen e emocioneve të sinqerta përmes artit. Festivali, që tashmë hyn në edicionin e tij të tetë, përfshin një program të pasur muzikor dhe artistik, me kompozitorë dhe autorë tekstesh nga vendi dhe rajoni, që kanë krijuar posaçërisht për këtë edicion. Përveç performancave muzikore, mbrëmja do të sjellë edhe mysafirë specialë, surpriza për fëmijët dhe çmime simbolike për pjesëmarrësit më të spikatur”, tha Zylahi.

Një juri profesionale me 8 anëtarë do të vlerësojë interpretimet më të mira, ndërsa çmime simbolike do të ndahen për të gjithë fëmijët pjesëmarrës, si shenjë vlerësimi dhe inkurajimi për talentin e tyre.

Afishja e festivalit për fëmijë “Junior Fest 2025”. Foto: Betime Zylahi
Afishja e festivalit për fëmijë “Junior Fest 2025”. Foto: Betime Zylahi