Trazira në Francë: Autoritetet po hetojnë vdekjen e një 27-vjeçari gjatë protestave

Prokurorët francezë po hapin një hetim për vdekjen e një 27-vjeçari, i cili u godit nga municionet për shpërndarjen e protestës gjatë trazirave të shtunën, konfirmuan prokurorët në Marsejë. Siç raporton The Guardian, burri ka vdekur të shtunën në mbrëmje, ndërsa Marseja u përfshi nga protesta të dhunshme, por prokurorët thanë se nuk ishte e mundur të përcaktohej nëse i ndjeri ishte kalimtar i rastit apo pjesëmarrës në trazira, njofton Portalb.mk.

Prokurorët thanë të martën se shkaku i mundshëm i vdekjes në Marsejë është një goditje e fortë në gjoks me municion për shpërndarjen e protestës të cilën e ka përdorur policia, por nuk specifikuan se kush e qëlloi ose e kujt ishte arma. Goditja ka çuar në një sulm në zemër dhe vdekje të papritur.

Trazirat në Francë kanë nisur pothuajse para një jave si pasojë e vrasjes së adoleshentit me origjinë nga Afrika e Veriut. Vrasja është kryer nga një pjesëtar i policisë gjatë një kontrolli rutinë trafiku në një periferi të Parisit.

Protesta më e madhe u zhvillua të shtunën në Marsejë, ku policia hodhi gaz lotsjellës dhe u përball në rrugë me të rinjtë gjatë gjithë natës.

Municioni për shpërndarjen e protestave është krijuar për të qenë një mjet jovdekjeprurës për kontroll të trazirave që nuk depërton në lëkurë, por përdorimi nga ana e  policisë franceze është e diskutueshme sepse municioni ka çuar në verbëri të përkohshme, lëndime në kokë dhe trauma të tjera fizike.

Që nga e marta, trazirat filluan të qetësohen dhe presidenti Emmanuel Macron u takua me më shumë se 300 kryetarë bashkie, komunat e të cilëve u prekën nga dhuna për të zbuluar “shkakun më të thellë” të ngjarjeve.

“A është ky kthimi i përhershëm i paqes? Do të jem i kujdesshëm, por kulmi që pamë ditët e fundit kaloi”, tha Macron gjatë takimit në Pallatin Elyse në Paris.