Një gazetare ruse është sulmuar në Çeçeni

Gazetarja e njohur ruse Elena Milashina dhe avokati Aleksandar Nemov u rrëmbyen dhe u rrahën nga sulmues të maskuar pothuajse menjëherë pas mbërritjes së tyre në Çeçeni. Vetëm pak minuta pasi kanë zbritur në aeroportin e Groznit, makina e Milashinës dhe Nemovit është rrethuar nga tre automjete të tjera dhe prej tyre kanë zbritur 10 persona të maskuar, shkruan BBC, transmeton Portalb.

“Ishte një rrëmbim klasik,” i tha Milashina ombudsmanit çeçen të të drejtave të njeriut, i cili kishte arritur në spital në kryeqytetin e Çeçenisë.

“E hodhën shoferin tonë nga makina, hipën në makinë, m’i lidhën duart, më detyruan të ulem në gjunjë dhe më drejtuan një pistoletë në kokë”, tha Milashina, e cila njihet për temat e saja hulumtuese.

Më pas ata i kanë hedhur buzë rrugës dhe i kanë rrahur me tuba plastike. Milashinës ia kanë rruar kokën dhe i është hedhur bojë jeshile. Ajo ka pësuar një dëmtim në tru nga sulmi fizik.

Milashina ka udhëtuar në Çeçeni për të raportuar për dënimin e Zarema Musajeva, nënë e tre disidentëve çeçen në mërgim, për shkak kritikimit të liderit çeçen Ramzan Kadirov. Gjatë arrestimit të saj vitin e kaluar, Kadirov tha se familja e saj duhet të jetë “në burg ose nëntokë”. Musajeva u akuzua për mashtrim dhe sulm ndaj një oficeri policie – akuza që ajo i ka mohuar plotësisht, raporton Reuters. Ajo u dënua me pesë vjet e gjysmë burg.

Elena Milashina është një gazetare hulumtuese për gazetën e pavarur ruse “Novaja Gazeta”. Gazeta është e njohur për kritikat e ashpra dhe hulumtimin e korrupsionit në Rusi. Për shkak të kësaj, ata janë një shënjestër e shpeshtë e të gjitha llojeve të sulmeve dhe kërcënimeve. Ana Politkovskaja dhe Natalia Estemirova, dy gazetare të të njëjtës gazetë që shkruanin raportime të detajuara për Çeçeninë, u vranë në vitet 2006 dhe 2009.

Milashina ka shkruar për tema të ndryshme që lidhen me korrupsionin në Çeçeni. Më i famshmi është artikulli në të cilin ajo shkroi për torturimin dhe vrasjen e homoseksualëve në Republikën Ruse – ata më vonë u detyruan t’i jepnin emrat e burrave tjerë homoseksualë, të cilët më pas u arrestuan gjithashtu. E shqetësuar për sigurinë e saj si rezultat i këtyre raportimeve, ajo u largua përkohësisht nga Rusia në vitin 2017.

Në vitin 2022, Kadirov e quajti Milashinën terroriste dhe tha se “ne gjithmonë i kemi asgjësuar terroristët dhe aleatët e tyre”. Pas kësaj deklarate, Milashina sërish u largua nga Rusia nga frika për sigurinë e saj, shkruan Novaja Gazeta.