Tetovë, protestë për ndotjen që shkakton pika e ngarkim-shkarkimit të mbeturinave

Pronarët e tokave që gravitojnë në afërsi të pikës për ngarkim shkarkim të mbeturinave që ka caktuar Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”, kanë protestuar për ndotjen ndaj tokave të tyre. Disa banorë që kanë shtëpitë rreth kësaj deponie thonë se nuk mund të hapin as dritaret e as që mund të lëvizin në këtë rrugë, nga era që kundërmon dhe pluhuri i madh. Kërkohet nga Komuna e Tetovës që të zhvendosë deponinë, në të kundërtën protestat nuk do të ndalen, transmeton Alsat.

“Isha në ndërmarrjen komunale bëna ankesë ata nuk kishin zgjidhje. Këtu kemi kultivuar gjitha kulturat bujqësore, ndër më pjelloret ka qenë kjo”, thotë një banor.

Nuk e di deri kur do vazhdoj kjo dhe si mendojnë që të na lënë të jetojmë dhjetë metra larg deponisë me fëmijë e me familje e me krejt. Nëse nuk merren masa ne do vazhdojmë dhe do e bllokojmë krejt”, thotë një qytetar tjetër.

Kontaktuam edhe ndërmarrjen publike komunale, nga ku u përgjigjën se problemi do të zgjidhet brenda vitit.

“Prolongimi i largimit të kësaj pike nga ky vend për dy muaj, po ndodh shkaku i ardhjes së mërgimtarëve, ndërsa, pas largimit të mërgimtarëve, dhe ndarjes së ndërmarrjes në dy ndërmarrje të reja, Ndërmarrja që do merret me mbeturinat, pra “Oaneum” do të bëj largimin e kësaj pike nga vendi aktual kërkojnë durim nga banorët sepse Ndërmarrja po punon në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi dhe gjetjes së lokacionit të ri për ngarkim shkarkim të mbeturinave të qytetit”, thonë nga Ndërmarrja publike komunale “Tetova”, njoftojnë nga Ndërmarrja Komunale “Tetova”.

Për rreth pikës për ngarkim shkarkim të mbeturinave, përveç ndotjes së tokës, është ndotur edhe uji i puseve që më parë banorët e kanë përdorur për pije dhe vaditje të arave.