Tetovë, çerdhja te “Kirili dhe Metodij” ende nuk është gati: Komuna duhet ta regjistrojë në Kadastër dhe të nxjerrë fletëpronësi

Çerdhja e ndërtuar në oborrin e shkollës fillore “Kirili dhe Metodij” në Komunën e Tetovës, ende nuk është vënë në funksion për shkak se autoritetet komunale nuk kanë nxjerrë fletëpronësi, nuk kanë dorëzuar dokumentacion me detaje për ndërtimin e objektit në Ministrinë e Financave dhe nuk e kanë regjistruar në Agjencinë e Kadastrës, shkruan Portalb.mk.

Çerdhja që premtohet prej mandatit të ish kryetares së Tetovës, Teuta Arifi, ende nuk është vënë në funksion as nga kryetari Bilall Kasami, edhe pse objekti është ndërtuar tërësisht.

Nga Komuna e Tetovës thonë se deri tek ata është dërguar një shkresë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) me disa kërkesa për realizimin e disa punëve dhe se të njëjtat, janë realizuar, por sipas tyre, MPPS nuk ia ka dorëzuar kompetencat komunës.

“Muri rrethues, vendosja e derës në hapësirat e jashtme të objektit dhe kyçja e rrymës elektrike së bashku edhe me kanalizimin e ujërave të zeza janë vetëm disa prej punëve të realizuara nga Komuna e Tetovës, e cila gjithnjë është konsultuar edhe me ministritë përkatëse për t’u siguruar se punët kryhen në përputhje me standardet e nevojshme. Megjithatë, është e pakuptueshme që Ministria për Punë dhe Politikë Sociale ende nuk ka bërë dorëzimin e objektit nën ingerenca të komunës. Është e rëndësishme që Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, sa më shpejt që të jetë e mundur, të përfundojë me të gjitha obligimet e saja që janë të paraparë në këtë projekt dhe pastaj të bëjë pranim-dorëzimin e objektit, në mënyrë që fëmijët tanë të kenë qasje të garantuar në një mjedis cilësor të arsimimit dhe rritjes së tyre”, thonë për Portalb.mk nga Komuna e Tetovës.

Ata shtojnë se në vend që të krijojë pengesa, Ministria duhet të inkurajojë partneritetin e mirëfilltë me Komunën e Tetovës dhe të ndihmojë në plotësimin e qëllimeve të përbashkëta për mirëqenien e fëmijëve dhe rritjen e tyre në një mjedis të sigurt dhe të kujdesur.

Por, nga MPPS rikujtojnë se Komuna e Tetovës nuk i ka kryer të gjitha obligimet administrative.

“Komuna e Tetovës duhet ta regjistrojë çerdhen në Agjencinë e Kadastrës të Patundshmërive, pastaj të nxjerrë fletëpronësi, të cilën duhet ta dorëzojë në Ministrinë e Financave, bashkë me gjithë dokumentacionin e dorëzuar nga kontraktuesi i punimeve të ndërtimit dhe Mbikëqyrësin përkatës të ndërtimit”, thonë për Portalb.mk nga MPPS.

Për këtë kërkuam sqarim shtesë nga Komuna e Tetovës, të cilët thonë se janë në pritje të pranimit të dokumentacionit nga ana Mbikëqyrësit të projektit, Euro Consult.

“Këto dokumentacione përfshijnë projektin përfundimtar me mendimin e mbikëqyrjes për ndërtimin e përgjithshëm, certifikatat për cilësinë e ndërtimit, etj. Në momentin e pranimit të dokumentacionit të lartshënuar ne si komunë menjëherë do të fillojmë procedurën e regjistrimit dhe pranim-dorëzimit të objektit në fjalë. Është e rëndësishme të potencohet se edhe pse Komuna e Tetovës nuk ka qenë e obliguar me punët ndërtimore të objektit, megjithatë ne morëm përgjegjësi dhe me kërkesë nga MPPS pranuam që të realizojmë edhe disa punë ndërtimore me të vetmin qëllim që çerdhja të jetë në funksion një ditë e më parë”, thonë nga Komuna e Tetovës, duke shtuar se shpresojnë që gjatë kësaj t’u dorëzohen të gjitha dokumentacionet e nevojshme me qëllim që të realizojnë detyrimet e tyre.

Rikujtojmë se kryetari aktual i Tetovës, Bilal Kasami19 prill të këtij viti së bashku me drejtoreshën Fatlinda Jaja vizituan çerdhen e re te shkolla fillore komunale “Kirili dhe Metodij” për t’i inspektuar punimet e ndërtimit të kësaj çerdhes. Siç informuan asokohe nga komuna, kjo çerdhe e re, e cila është realizuar me kërkesë nga Komuna e Tetovës, është e paraparë për të siguruar deri mbi 200 vende për qëndrim ditor të fëmijëve parashkollor nga Tetova.

Projekti është financuar nga fonde ndërkombëtare dhe është realizuar nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, përmes Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale.