Tetë qytetarë të RMV-së që ndodhen në Izrael do të evakuohen nesër me aeroplan qeveritar

Në konferencën e sotme për shtyp, ministri i Jashtëm Timço Mucunski njoftoi se Ministria e Punëve të Jashtme ka formuar një shtab krize, dhe kontaktet telefonike përmes Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv kanë arritur të lokalizojnë 28 qytetarë që kanë kërkuar evakuim, transmeton Portalb.mk.

“Deri nesër, 8 qytetarë tanë, 4 prej të cilëve janë fëmijë, do të nisen për në Egjipt dhe do të mbërrijnë në Shkup me aeroplan qeveritar, të shoqëruar nga një konvoj sigurie”, tha Mucunski.

Ministri Mucunski deklaroi se rreth 100 qytetarë maqedonas ndodhen në territorin e Izraelit, nga të cilët 28 deri më tani kanë kërkuar evakuim për t’u kthyer në Maqedoni.

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski tha sot se një aeroplan qeveritar do të përdoret për të evakuuar disa qytetarë të Maqedonisë së Veriut që ndodhen në Izrael.

“Jam në komunikim të përditshëm me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski, dhe po bëhet një plan për evakuimin e qytetarëve të bllokuar maqedonas. Një aeroplan qeveritar do të përdoret gjithashtu për t’i transportuar ata në një nga vendet fqinje, me shumë mundësi në Egjipt. Aktualisht janë nëntë qytetarë dhe pres që evakuimi të përfundojë deri nesër”, tha Mickoski.

Për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, autoritetet u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që ndodhen në territorin e Izraelit dhe Iranit, nëse kanë nevojë për ndihmë konsullore, të kontaktojnë menjëherë institucionet kompetente përmes numrave telefonikë të emergjencës (SOS).

Paraprakisht, ministria apeloi te të gjithë shtetasit të shmangin udhëtimet drejt vendeve të këtij rajoni deri në përmirësimin e situatës së sigurisë.

Mëngjesin e 13 qershorit, Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore në të gjithë Iranin, duke deklaruar se kanë shënjestruar “zemrën” e programit bërthamor iranian.

Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmet kanë shkaktuar vrasjen e disa komandantëve dhe shkencëtarëve bërthamor iranian.

Irani u është kundërpërgjigjur këtyre sulmeve, duke lëshuar afër 100 raketa dhe është zotuar se do të vazhdojë sulmet hakmarrëse.