Derisa Izraeli i bën thirrje Iranit të mos vrasë civilët, bën kërdi në Gaza duke vrarë 40 persona
Derisa Izraeli akuzon Iranin për shënjestrim të qëllimshëm të civilëve, forcat izraelit vranë të paktën 40 persona në Gaza, gjysma e të cilëve pranë një vendi shpërndarjeje ndihmash të operuar nga Fondacioni i ashtuquajtur Humanitar i Gazës i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-të, ndërsa zyrtarët e OKB-së denoncuan metodat e shpërndarjes së ndihmave të mbështetura nga Izraeli, transmeton Portalb.mk.
Shërbimi izraelit i emergjencës Magen David Adom raportoi se dy gra dhe dy burra – të gjithë në të 70-at – dhe një person tjetër u vranë në valën e sulmeve me raketa që goditën katër vende në Izraelin qendror.
“Ne e shohim qartë se civilët tanë po bëhen shënjestër,” tha zëdhënësi i policisë izraelite Dean Elsdunne jashtë ndërtesës së bombarduar në Petah Tikva. “Dhe kjo është vetëm një skenë. Ne kemi vende të tjera si kjo pranë bregdetit, në jug.”
Ndërkohë të hënën, zjarri izraelit vrau të paktën 40 persona, gjysma e të cilëve pranë një vendi shpërndarjeje ndihmash të operuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës i mbështetur nga SHBA-të.
Mjekët thanë se të paktën 20 persona u vranë dhe 200 të tjerë u plagosën pranë një vendi shpërndarjeje ndihmash në Rafah, i fundit në të shtënat masive të përditshme që kanë vrarë qindra palestinezë që përpiqen të arrijnë ushqim që kur Izraeli vendosi një sistem të ri shpërndarjeje pasi hoqi pjesërisht një bllokadë totale prej gati tre muajsh.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi të hënën se banorët e Teheranit do të “paguajnë çmimin” për sulmet iraniane ndaj civilëve izraelitë.
Shpërthime të fuqishme, me shumë mundësi nga sistemet mbrojtëse të Izraelit që kapin raketat iraniane, tronditën Tel Avivin pak para agimit të së hënës, duke dërguar re tymi të zi në qiell mbi qytetin bregdetar.
Autoritetet në qytetin qendror izraelit të Petah Tikva thanë se raketat iraniane kishin goditur një ndërtesë banimi atje, duke djegur mure betoni, duke thyer dritare dhe duke shqyer muret e shumë apartamenteve.