Terrenet sportive të shkollave fillore në Kumanovë “për lëmoshë”, nuk janë prioritet për institucionet

Terrenet sportive në disa shkolla fillore të Kumanovës janë në gjendje të keqe, pa kushte, madje në disa prej shkollave ka mungesa të hapësirave dhe pajisjeve sportive. Nxënësit kërkojnë kushte më të mira, ndërsa me ankesat dhe kërkesat e tyre pajtohen edhe nga stafi i shkollave. Institucionet nga ana tjetër nuk po gjejnë zgjidhje për këtë problem, shkruan Portalb.mk.

Terrene të shëmtuara

Portalb.mk vizitoi katër shkollat fillore në qytet, dy nga shkollat ku mësojnë nxënësit shqiptarë dhe dy shkollat ku mësojnë nxënësit maqedonas.

Ajo çfarë pamë në terren është mungesa e koshave të basketbollit, mungesa e rrjetave të futbollit, mungesa e terreneve sportive, asfalt i krisur dhe problematika të tjera.

Në shkollën fillore “Bajram Shabani” ka mungesë të këndit të lojërave, mungesë të fushës së futbollit, fushës së basketbollit, ulëse të pamjaftueshme, po ashtu mungojnë shporta për hedhjen e mbeturinave, nuk kishte aspak gjelbërim dhe oborri në disa pjesë është i ndarë me tela ku në një pjesë edhe mungojnë të njëjtat.

Shkolla fillore “Vuk Karagjigj” ka vetëm 60 nxënës. Në hyrje të shkollës shkallët janë të vjetërsuara, muret janë të dëmtua, golat ishin me rrjeta të shqepura dhe pjesa ku ulet publiku ishte vetëm me shkallë prej betoni, po ashtu te këndi i lojërave mungojnë pllakat.

Në shkollën fillore “Naim Frashëri” me 1200 nxënës problemi më i madh është se nuk kanë teren të mjaftueshëm, nxënësit nuk kanë fushë të futbollit, basketbollit dhe as të volejbollit. Mbrapa shkollës ka një hapësirë të terrenit me barishte e cila nuk mund të shfrytëzohet sepse mungojnë ulëse për nxënësit, nuk ka as kënde për lojëra.

Shkolla fillore “Krste Misikrov” dhe “Braqa Miladinovci” janë në një objekt, aty ka hapësirë më të madhe dhe me më shumë gjelbërime në krahasim me shkollat tjera që i vizituam. Mirëpo në këtë shkollë mungojnë ulëse, kosha për hedhjen e mbeturinave, mbrapa shkollës asfalti ishte i dëmtuar, muret janë të mbuluara me vizatime dhe i japin shkollës një pamje të shëmtuar, dera e hyrjes mbrapa ishte e shkatërruar, ndërsa mungon fusha e volejbollit.

Nxënësit duan kushte më të mira

Nxënësit me të cilët biseduam duan të kenë hapësira me kushte të mira sportive dhe kënde lojërash.

Riga Hasani, nxënëse e klasës së nëntë në shkollën fillore “Bajram Shabani ” tha se oborri i shkollës duhet të jetë më mirë i shtruar, për të mos pasur pengesa gjatë ecjes, nuk mund të dalin në oborr sepse nuk kanë shumë hapësira.

Mungon një kënd i lojërave për nxënësit e klasave të para, dhe për fëmijët me aftësi të kufizuara që mund të kemi mundësi për më shumë aktivitete. Rrallë herë gjatë pushimit qëndrojmë në oborrin e shkollës sepse nuk kemi shumë hapësirë. Sikur të kishte qenë e rregulluar mirë, të kishte qenë e shtruar me kullosë, ndoshta gjatë pushimit nuk kishim pasur nevojë të dalim nëpër kafe ose diku tjetër”, tha Riga.

Alpi Shabani një tjetër nxënës i të njëjtës shkollë tha që në shkollën e tyre nuk kanë shumë gjelbërim.

“Dëshira ime e madhe është që të kemi fushën e basketbollit dhe fushën e futbollit, që lëndën e edukatës fizike ta mbajmë në ambiente të hapura. Mungojnë disa ulëse, nuk kemi ku të ulemi gjatë pushimit, duhet të hyjmë prap në klasë për ta ngrënë ushqimin”, tha Alpi Shabani.

Stafi i shkollave pranon problemet

Portalb.mk bisedoi me drejtoreshën e shkollës “Bajram Shabani” Bergjyle Saliji. Ajo tregoi se në mungesë të rregullimit të një fushe basketbolli, për momentin vendin e shfrytëzojnë si parking, në mungesë të elementeve të cilët duhen për nxënësit tyre.

“Si pikë e parë kjo hapësirë është e pa shfrytëzuar pastaj oborri ka disa drunjë, gjelbërime, mirëpo kemi nevojë për më shumë, nuk kemi vend për tu ulur aty ku nxënësit dalin në pushim. Mirëpo kemi pasur ndihma edhe nga institucionet tjera, por vetëm për riparimin e disa gjërave të vogla, por kryesisht të ndryshohet diçka jo, Përderisa unë jam ushtruese detyre, nuk kam pasur qasje për kërkesa të tilla. Ja vlen të ceket se edhe brenda objektit mungojnë karrika, banka të cilët dëmtohen vetvetiu, në përgjithësi kemi nevojë për shumë gjëra”, u shpreh Bergjyle Saliji.

Bergjyle Saliji drejtoresha e shkollës fillore “Bajram Shabani” - Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Bergjyle Saliji drejtoresha e shkollës fillore “Bajram Shabani” – Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Në shkollën fillore “Vuk Karagjigj”, takuam drejtorin Ivica Gjorgjievski, i cili tregoi se në shkollën e tyre kanë vetëm 60 nxënësë, ku oborrin e shkollës e shfrytëzojnë edhe nxënësit e shkollës “Naim Frashërit”, kanë vetëm një kënd lojrash dhe mungon parku për fëmijët që duhet të argëtohen.

“Çdo gjë që është nuk do të thotë se është më e mira, mund të jetë gjithmonë edhe më mirë, kështu që tani kjo është e mirë. Jashtë i kemi të gjitha kushtet për mbajtjen e aktiviteteve për nxënësit e klasave”, u shpreh Gjorgjievski.

Ivica Gjorgjievski drejtori i shkollës fillore “Vuk Karagjigj” - Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Ivica Gjorgjievski drejtori i shkollës fillore “Vuk Karagjigj” – Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

U takuam me drejtorin e shkollës fillor “Naim Frashëri” Muhamet Zeqiri, ai tregoi se një ndër problemet më të mëdha është mungesa e terrenit. Në mungesë të tereni të kësaj shkolle ata i shfrytëzojnë hapësirat e shkollës Vuk Karagjigj.

“Në mungesë të hapësirës në oborrin e shkollës, ne nuk kemi vend për rreshtimin e nxënësve, kemi një pjesë të hapësirës mbrapa shkollës, mirëpo për të shkuar nxënësi në atë hapësirë duhet të hyjnë nga dyert e shkollës të “Vuk Karagjigj. Nuk mundemi me kërkuar luks përderisa kërkojmë terrene sportive për nxënësit e shkollës tonë”, tha Zeqiri.

Muhamet Zeqiri drejtori i shkollës fillore “Naim Frashëri” - Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Muhamet Zeqiri drejtori i shkollës fillore “Naim Frashëri” – Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Vizituam edhe shkollën fillore “Krste Misirkov” dhe “Braqa Miladinovci” të cilat funksionojnë në një objekt dhe me dy ndërrime. Takuam drejtoreshën e shkollës “Krste Misirkov”, Aleksandra Stamenovska e cila na tregoi se në këtë shkollë ka hapësirë të madhe, kanë sallë sportive dhe aktivitetet sportive i mbajnë në oborret e shkollës.

“Kemi hapësirë të madhe për nxënësit e shkollës tonë, kemi një sallë sportive, e cila është ndërtuar në vitin 1984 dhe ka nevojë për rinovim. Po ashtu kemi një sallë të vogël sportive ku ushtrojnë nxënësit më të vegjël me teren të hapur. Oborri i shkollës është mjaftë i madh dhe mund të përdoret për aktivitete sportive, për oborrin e shkollës na nevojiten stola dhe kosha plehrash”, tha Stamenovska.

Aleksandra Stamenovska drejtoresha e shkollës fillore "Krste Misikrov" - Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Aleksandra Stamenovska drejtoresha e shkollës fillore “Krste Misikrov” – Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Ministria e Arsimit “shfajësohet”, komuna e Kumanovës hesht

Ministria e Arsimit dhe Shkencës për këtë problem thekson se me procesin e decentralizimit, shkollat fillore dhe të mesme janë nën juridiksionin e komunave, ndërsa vetëqeverisjet lokale janë përgjegjëse për t’i menaxhuar dhe mirëmbajtur.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës investon në ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve shkollore, për të cilat iniciativë ngrit vetë komuna, e cila vë në dukje nevojën për investime. Çdo kërkesë e cila parashtrohet deri te MASH-i për realizimin e ndonjë investimi kapital shqyrtohet me kujdes dhe sillet vendim, konform prioritetit të nevojave dhe buxhetit vjetor në dispozicion, ku dhe në cilat shkolla do të investohet”, thanë nga MASH.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për këtë problem pyetëm edhe në Komunën e Kumanovës, nga atje na informuan se do i shqyrtojnë pyetjet tona, por deri në publikimin e këtij teksti nga atje nuk u përgjigjen në pyetjet gazetareske.

Portalb.mk ka raportuar mbi problemet me terrenet sportive edhe në Gostivar, Tetovë dhe Çair.