Tensionet e përsëritura në raportet Kosovë-Serbi: Akuza për ndërhyrje hibride dhe cenim të sigurisë

Incidente e javëve të fundit nga sulmet fizike deri në manipulime politike  kanë rritur tensionet në raportet Kosovë-Serbi. Sulmi me granata dore ndaj zyrës së Postës së Kosovës në Zveçan dhe arrestimi i disa “pelegrinëve” serbë në Gjakovë dhe Prizren ku disa prej tyre u identifikuan si pjesëtarë të strukturave të sigurisë së Serbisë, rikthyen shqetësimet për ndërhyrjet e Serbisë, shkruan Sbunker.

Qeveria e Kosovës paralajmëroi se Beogradi po përdor metoda të ndryshme, duke përfshirë shantazhin, kërcënimet dhe sulmet kriminale, për të ndërhyrë në funksionimin demokratik të shtetit.

Këto zhvillime vijnë pas akuzave të Kryeministrit Albin Kurti se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 përmes Listës Serbe dhe organizatorit të sulmit terrorist në Zveçan, Milan Radoiçiq, si dhe përpjekjeve për të sabotuar formimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë.

Me iniciativë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, më 6 prill 2025, Këshilli i Sigurisë së Kosovës mbajti një mbledhje urgjente. Sipas një komunikate për media, u diskutua “gjendja e përgjithshme e sigurisë me theks planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë”.

Një nga incidentet e përmendura është sulmi me granata ndaj zyrës së Postës së Kosovës në Zveçan më 1 prill 2025. Sipas raporteve, dy granata dore u gjuajtën, ku njëra prej tyre shpërtheu. Sulmi u konsiderua si pjesë e një strategjie më të gjerë për të krijuar panikë dhe mosbesim ndaj institucioneve kosovare në veri.

Ndalimi dhe lirimi i “pelegrinëve” 

Një tjetër zhvillim që nxiti reagime ishte ishte ndalimi i 16 personave të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë, me datat 5 dhe 6 prill, të cilët pretendonin se ishin pelegrinë. Ajo që fillimisht u trajtua si një aktivitet fetar, mori një kthesë tjetër kur autoritetet thanë se identifikuan katër nga të ndaluarit si oficerë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë. Sipas tyre, katër prej të ndaluarve janë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë. Sipas të dhënave fillestare, dyshohej se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës. Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën fotografi me hartën e Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative. Gjykata Themelore në Gjakovë ua caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Por nga 12 serbët që u ndaluan më 6 prill në Prizren, fillimisht dhjetë prej tyre u liruan në procedurë të rregullt dhe dy ishin ndaluar për 48 orë. Por Prokuroria Themelore më 8 prill liroi edhe dy të dyshuarit e fundit.

Kjo bëri që zyrtarë qeveritarë ta kritikojnë gjyqësorin duke e quajtur shqetësuese, “lehtësinë e lirimit të këtyre personave dhe hedhjen poshtë të aksioneve policore dhe institucioneve tjera të sigurisë të cilët kapën me fakte e dëshmi këto dy grupe”. 

Në anën tjetër, media dhe politikanë serbë reaguan me një valë akuzash ndaj Kosovës, duke thënë se ky është episodi i radhës që për qëllim ka ushtrimin e terrorit mbi serbët. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se kanë marrë masa të caktuara, pa specifikuar se cilat janë ato.

Zyra për Kosovë në qeverinë e Serbisë deklaroi se vala e fundit e arrestimeve të pelegrinëve nga Serbia, është vazhdimësi e destabilizimit të situatës në Kosovë dhe presionit ndaj popullit serb.

Narativat nga Serbia pas tensioneve të tilla janë pjesë e një strategjie të konsoliduar që ndër vite proklamon se serbët në Kosovë janë viktima të një “terrori institucional”, një qasje që synon të bindë jo vetëm opinionin e brendshëm por edhe atë ndërkombëtar.

Akuzat për ndërhyrje në formimin qeverisë 

Ngjarjet e fundit ndodhën në një kontekst më të gjerë të akuzave reciproke për ndërhyrje politike, që morën intensitet pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë.

Qeveria e Kosovës së fundi e akuzoi Serbinë edhe për pengesa në konstituimin e institucioneve të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, si dhe për detyrim të serbëve që të marrin pjesë në protestat pro Vuçiqit. Sipas tyre, me kërcënime, joshje dhe shantazhe, Serbia po përpiqet të nxisë tensione ndëretnike dhe ndërpartiake në Kosovë.

Akuzat vijnë në kohën kur partia fituese e kryeministrit në detyrë, Kurti, ende nuk ka gjetur partner për krijimin e qeverisë së re.

Përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxis tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë”, shkruan në komunikatën e qeverisë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Për të gjitha këto u tha se “kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë”.

Prej vitesh, Serbia ka përdorur strukturat paralele dhe rrjetet e saj të sigurisë në Kosovë për të ushtruar ndikim, ndërsa përpiqet të ndërtojë imazhin e një shteti mbrojtës të serbëve “të rrezikuar”. Nga ana tjetër, Kosova përpiqet të theksojë institucionet e saj si garantuese të rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët përfshirë komunitetin serb si dhe t’i demaskojë ndërhyrjet e Serbisë si të orkestruara dhe të motivuara politikisht.

Dialogu i paralizuar 

Zhvillimet e fundit, përfshirë arrestimet, sulmin në Zveçan dhe akuzat për ndërhyrje në institucionet e Kosovës, ndodhin në një moment kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ngecur. Procesi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, që synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, është në bllokadë, ndërsa mungesa e progresit ka krijuar hapësirë për narracione të polarizuara. Dallimet iu konfirmuan edhe Emisarit të ri të BE-së, Peter Sorensen në vizitën e tij të parë në Prishtinë dhe Beograd, në mars. Shefja për Politikë të Jashtme dhe siguri në BE, gjatë vizitës së fundit në Shqipëri e pranoi se janë bërë gabime gjatë këtij procesi, duke shtuar se po shqyrtojnë modalitete që çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kosova akuzon Serbinë se nuk ka zbatuar asnjë pjesë të marrëveshjes së Ohrit të arritur në mars 2023, veçanërisht sa i përket njohjes de facto të realitetit shtetëror dhe ndalimit të fushatës kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Në anën tjetër, Serbia pretendon se Kosova po refuzon të zbatojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – një çështje që Beogradi e ka kthyer në mjet të presionit ndërkombëtar, duke e paraqitur si “kusht për normalizim të marrëdhënieve”.