Teknologjia që i dha AMD-së procesorët më të shpejtë gaming në botë do të adoptohet nga Intel

CEO i Intel Pat Gelsinger mbajti një sesion pyetje-përgjigje në evenimentin Innovation 2023 dhe në përgjigje të një pyetjeje nëse Intel do të adoptonte qasjen e AMD me 3D Cache, ai konfirmoi se edhe kompania e tij do të ndjekë këtë rrugë, transmeton PCWorld.al.

Megjithatë kjo teknologji nuk pritet të vijë me Meteor Lake ndërsa është në fazë zhvillimi për një gamë procesorësh Intel të ardhshëm.

“Kur i referoheni V-Cache, jeni duke folur për një teknologji tejet specifike që TSMC e aplikon për disa konsumatorë të saj. Sigurisht ne jemi duke e bërë ndryshe? Në planet tona kemi idenë e një procesori 3D që do të kenë cache në një pllakë çipi dhe pllakën e procesorit të vendosur mbi të.”

Është një lëvizje e pritshme nga ana e Intel duke qenë se aplikimi i 3D Cache nuk është diçka unike për AMD. Në të vërtetë është teknologjia e paketimit e TSMC që e mundëson këtë, kompania që prodhon çipet AMD.

Ky lloj aplikimi ka provuar të jetë një avantazh strategjik për AMD ndërsa fuqizon procesorë Ryzen X3D të cilët janë më të shpejtit në botë në gaming.