Teatrot hapën repertorët për këtë sezon: Këto shfaqje do të vihen në skenat e Shkupit, Tetovës, Gostivarit dhe Kumanovës

Teatrot Shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të kushtëzohen nga kushtet klimatike dhe kërkesat për zgjidhjen e këtij problemit gjithnjë hasin në vesh të shurdhër, kësisoj repertorët e tyre nuk janë funksionalë as kur është shumë ftohtë shkaku i nxehjes dhe as kur është shumë nxehtë shkaku i ftohjes. Këto faktorë dhe të tjerë bëjnë që aktiviteti i tyre të jetë i pakët, ndryshe nga normaliteti i teatrove botërore që kanë repertorë të rregullt dhe ofrojnë shfaqje çdo natë. Megjithëse realiteti është ky që është, të përpiqemi që të kapim çdo mundësi që na sjellin trupat teatrore nga teatrot e vendit, edhe atë nga Shkupi, Tetova, Gostivari e Kumanova, njofton Portalb.mk.

Teatri Shqiptar i Shkupit
Teatri Shqiptar i Shkupit

Teatri Shqiptar i Shkupit dominon me premiera duke na ofruar në muajt në vazhdim katër premiera edhe atë në muajin Shtator: Vdekja dhe virgjëresha nga regjisorja Afërdita Nuhiji, ADN nga Fatos Berisha dhe  Mishi i huaj nga Martin Koçovski. Në nëntor pritet premiera e shfaqjes Xhaxha Vanja nga regjisori Vlladimir Millçin,

Ky teatër është dhe nikoqiri i festivalit ‘’Skupi Festival’’ i cili parashihet të fillojë në shtator.

Në repertorin e këtij teatri do të vine dhe reprizat e shfaqjeve të punuar vite më parë, si : Ylli pa emër, Nyjat, Ballkoni, E kuqja, Tri motrat.  Në agjendën e tyre ka dhe festivale, tani për tani dihet që marrin pjesë në festivalin e Komedisë “Koko Fest” të Korçës me ‘Yllin pa emër’ më datë 5 shtator dhe me “AND” në Festivalin e Teatrit Shqiptar, Dibër , më datë 27 shtator.

 

Teatri i Tetovës
Teatri i Tetovës

Teatri i Tetovës lajmëron se përgatiten për një premierë të re për këtë sezon ‘ Sakati nga Inishmori’ me regji të Fitim Selimit  ndërsa në muajin prill kishte premierën e shfaqjes “Zoti i masakrës” (shfaqje në gjuhën maqedonase) dhe në qershor premierën  “Ëndrra evropiane “(Peer Gynti nga Ballkani) nga Blerta Neziraj. Në planet e këtij teatri janë dhe rikthimi I shfaqjeve që i kanë punuar më herët.

Do të jenë pjesëmarrës në disa festivale. Në shtator në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Kamertal “Risto Shishkov”-Stumicë, në Festivalin e Teatrit Shqiptar – Dibër.

Në tetor do jenë në Festivalin ‘ Ditët e komedisë’ – Kumanovë. Po ashtu Tetova organizon edhe Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove.

 

Teatri i Gostivarit
Teatri i Gostivarit

Teatri i Gostivarit parasheh tre premiera , edhe atë: ‘Karantina’, “Çifti i hapur” dhe një premiere në gjuhën turke “Açik Ayle”.

Vazhdojnë të rishfaqen shfaqjet “Mos i luaj anglezët” dhe Çorba od kanarinec (maqedonisht).

Pjesëmarrje në Festivalin e Teatrit në Suharekë, në Festivalin e Teatrove në Dibër, në Festivalin Ditët e Komedisë në Preshevë. Po ashtu në agjendën e këtij teatri është dhe një vizitë në Sarajevë dhe shfaqje për mërgatën.

Po ashtu kujdes i veçantë do t’i kushtohet afrimit të nxënësve me teatrin duke rishfaqur projektet teatrore para tyre në muajt nëntor- dhjetor.

 

Teatri i Kumanovës
Teatri i Kumanovës

Teatri i Kumanovës së shpejti do të fillojë me përgatitjen e një premiere nga regjisori i ri Gent Çajani. Ky teatër ka funksionuar në hapësira të kufizuara për shkak të renovimit na njofton drejtori Mirsad Abazi. Fillimi i vitit 2023 solli repriza të shfaqjeve të vitit të kaluar të punuara nga regjisoret e reja, Aferdita Nuhiji dhe Kaltrina, pastaj ishte shfaqja nga Jeton Neziraj, nën regjin e Erson Zymberi “Fluturimi mbi teatrin shqiptar” që do të vazhdojë me repriza nga 12 shtatori. Gjithashtu, në datën 24 shtator, do të marrin pjesë në Festivalin e Teatrove në Dibër. Kanë marrë ftesa nga tre festivale të tjera që do të zbulohen deri në fund të muajit.