HERA: Rruga evropiane nënkupton demokraci, të drejta të njeriut dhe mbrojtje nga ndikimet antidemokratike
ShoqataHERA e përshëndet miratimin e Raportit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut si një mesazh të rëndësishëm se integrimi evropian nuk është vetëm një proces teknik, por para së gjithash obligim politik dhe i vlerave ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, mediave të lira dhe pjesëmarrjes aktive të qytetarëve, transmeton Portalb.mk.
Raporti rikujton qartë se përparimi drejt Bashkimit Evropian duhet të fillojë dhe të matet përmes klasterit “Vlerat Themelore”. Për HERA-n, kjo do të thotë se reformat nuk duhet të kufizohen në harmonizimin formal të ligjeve, por duhet të sjellin mbrojtje reale për njerëzit, institucione të pavarura, pushtet të përgjegjshëm dhe qasje të barabartë në të drejta dhe shërbime për të gjithë qytetarët.
“Veçanërisht e rëndësishme është që institucionet evropiane po e theksojnë sërish rolin e shoqërisë civile. Organizatat e shoqërisë civile nuk janë dekor në procesin e anëtarësimit, por një korrigjues i domosdoshëm, burim ekspertize dhe lidhje e drejtpërdrejtë me qytetarët. Prandaj kërkojmë që Qeveria dhe Kuvendi të sigurojnë përfshirje thelbësore, në kohë dhe transparente të organizatave të shoqërisë civile në të gjitha proceset reformuese të lidhura me BE-në, përfshirë agjendën reformuese, udhërrëfyesit për sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike, si dhe në përgatitjen dhe monitorimin e ligjeve që prekin të drejtat e njeriut”, thuhet në reagim.
Ata shtojnë se rivënia në funksion e Këshillit për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile është një hap pozitiv, por ai duhet të shndërrohet në një mekanizëm funksional dialogu dhe jo në një strukturë formale pa ndikim. Në të njëjtën kohë, shteti duhet urgjentisht të sigurojë një kornizë të qartë, transparente dhe të parashikueshme për financimin publik të organizatave të shoqërisë civile. Pa një shoqëri civile të pavarur dhe të qëndrueshme nuk ka demokraci të fortë.
HERA shpreh shqetësim edhe për gjendjen e lirisë së mediave dhe sigurinë e gazetarëve.
“Mediat e pavarura, gazetaria hulumtuese dhe verifikimi i fakteve janë thelbësore për qëndrueshmërinë e shoqërisë, veçanërisht në kohë dezinformimi, polarizimi politik dhe ndikimesh të jashtme. Nevojitet harmonizim i plotë i legjislacionit mediatik me standardet evropiane, transparencë e pronësisë së mediave, shpërndarje e drejtë dhe jodiskriminuese e fondeve publike dhe reklamimit shtetëror, si dhe mbrojtje efektive nga kërcënimet, ngacmimet, dhuna dhe paditë strategjike kundër kritikës publike”, thonë nga HERA.
Raporti, shtojnë ata, duhet të lexohet edhe si një paralajmërim serioz për ndikimet e huaja, dezinformimin dhe kërcënimet hibride.