Të paktën dhjetë të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën dhjetë persona më 5 qershor, teksa ushtria izraelite po vazhdon ofensivën në territorin palestinez, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Zëdhënësi i kësaj agjencie, Mahmud Bassal, tha për AFP-në se sulmet vdekjeprurëse shënjestruan një zonë ku po strehohen personat e zhvendosur në Han Junis, disa shtëpi në Qytetin e Gazës dhe në Deir el-Balah.

Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këto raportime.

Izraeli ka intensifikuar ofensivën e tij, duke thënë se synon të mposhtë Hamasin, por që në fakt sulmon civilë.

Ndërkaq, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, të paktën 4.335 persona janë vrarë që kur Izraeli rinisi ofensivën më 18 mars. Numri i përgjithshëm i viktimave që nga nisja e luftës, sipas kësaj ministrie, ka arritur në 54.607. Kjo ministri thotë se shumica e viktimave ishin civilë.