Të martën në seancën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut do të fillojë debati për Buxhetin e vitit 2025-të
Jam i përqendruar në masën që të mos rriten pagat e funksionarëve, ndërsa të rriten pagat e të punësuarve në administratë dhe sektorë tjerë, tha sot kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për qëndrimin e tij për rritjen e pagës minimale. Ai potencoi se për masën që mos të rriten pagat e funksionarëve do të bisedojnë brenda në Qeveri, ndërsa një nga mënyrat është ulja e koeficientëve, raporton MIA.
“Ne këtë ngrirje e ulim këtë përqindje nga viti në vit, që të vijmë deri në një përqindje barazi me zero”, deklaroi Mickoski gjatë vizitës së sotme në komunën Aerodrom.
Ai përkujtoi se gjatë katër muajve të kaluara janë rritur pensionet në fillim për 2.500 denarë, e në mars do të ketë sërish rritje.
“Edhe me arsimin po ashtu kemi arritur marrëveshje afatgjate, tani është fjala për punëtorët shëndetësorë. Hap pas hapi po realizohet ajo që qytetarët presin. Kërkoj falje që në këto katër muaj nuk ia dolëm të bënim gjithçka, por në të paktën një vit të bëjmë shumicën e gjërave që kanë munguar për vite e dekada”, tha Mickoski.
Potencoi se Buxheti për viitn 2025 do të jetë në seancë të Qeverisë të martën, e sipas tij, kjo Qeveri stimulohet në investime që do ta rrisin produktivitetin.
Lidhur me masën e shportës së vjeshtës dhe reagimet se zvogëlimi i çmimeve të prodhimeve ushqimore është minimal, Mickoski tha se më mirë është të ketë ulje, sesa rritje.
Sipas tij, indikator inkurajues është se kemi rritje të pagave, ndërsa inflacioni është zvogëluar për dhjetë herë.
“Nëse është mjaftueshëm? Jo, por do të punojmë më shumë, muajin e ardhshëm të jetë 1.500, pastaj 2.000 e ashtu me radhë, derisa nuk jemi të gjithë të kënaqur”, tha Mickoski.
Ndryshe, ky do të jetë buxheti i parë që do të përpilohet nga Qeveria e Hristijan Mickoskit. Buxheti i shtetit duhet të miratohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku qeveria e formuar nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM nuk kanë problem me numrat e deputetëve.
Buxheti për vitin 2024 është miratuar më 27 dhjetor të vitit 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, buxhet me të hyra që arrijnë 310.1 miliardë denarë, apo 10 % më shumë se vitin paraprak. Qeveria e re e Mickoskit, kishte filluar propozimin për rebalancin e buxhetit 2024, ndërsa më 12 gusht rebalanci ishte votuar në Kuvend.