Të gjithë nxënësit e Maqedonisë së Veriut më 1 shtator do të kenë libra, premtoi ministrja Vesna Janevska

Ministria për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut ka premtuar se nga 1 shtatori do të ketë libra për të gjithë nxënësit e vendit. Ata përkujtojnë se 250 mijë ekzemplarë janë dorëzuar gjatë muajit prill për klasën e parë, dytë dhe të tretë, transmeton Portalb.mk.

“Këtë vit procesi ka filluar edhe më herët krahasuar me dy vitet e kaluara, ndërsa është i pakrahasueshëm me shtatë vitet e mëparshme të Qeverisë së kaluar, kur, besoj se do të kujtoni, se në disa vite nuk kishte fare tekste shkollore të shtypura”, deklaruan nga Ministria.

Ministria dhe Qeveria kanë premtuar shpërndarjen në kohë të teksteve shkollore në të gjithë shkollat.

Ministrja Vesna Janevska përkujtoi që klasa e nëntë dhe viti i tretë në të mesme do të përjashtohen nga furnizimi këtë vit, pasi për këto dy klasa janë paraparë reforma për vitin e ardhshëm, duke përfshirë edhe tekstet e reja.

Drejtori i Shërbimit Pedagogjik, Robert Axhipetrov, ka raportuar se këtë vit ka pasur kthim më të madh të mjeteve financiare për shkak teksteve të dëmtuara ose të humbura.

Ministria edhe pse deklaroi se “për të tretin vit radhazi, Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës sigurojnë furnizimin dhe shpërndarjen në kohë të teksteve shkollore për të gjithë nxënësit”, përkujtojmë se këtë vit nxënësit me vonesë u furnizuan me libra. Ministrja Janevska katër ditë pasi kishte filluar viti shkollor, kishte premtuar zgjidhje të problemit.