Të dielën do të rikthehet ora dimërore, akrepat do të lëvizin 60 minuta pas

Të dielën e 29 tetorit, e fundit e këtij muaji, ndryshon ora. Akrepat do të shkojnë 60 minuta mbrapa, ose thënë ndryshe, do të flemë një orë më shumë. Si zakonisht ndryshimi bëhet rreth orës 03:00 të mëngjesit, gjegjësisht, akrepat e orës nga 03:00 do të kthehet në orën 02:00. Në pajisjet smart, ndërrimi do të bëhet automatikisht, transmeton Portalb.mk.

“Sipas vendimit fillon koha dimërore. Ligji për matjen e kohës kërkon miratimin e Vendimit për vendosjen e kohës së lirë. Ky Vendim është në përputhje me nenin 5 të Direktivës 2000/84/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit prej datës 19.01.2001 mbi marrëveshjet për planin veror të kohës dhe informacionin e Komisionit Evropian në përputhje me nenin 4 të Direktivës, botuar në Gazetën Zyrtare të BE-së nr. C 61, 17.2.2016. Miratimi i këtij vendimi kontribuon në monitorimin e politikës afatgjatë ekonomike të Republikës së Maqedonisë së Veriut për asociim me Bashkimin Evropian, si dhe kujdesin për funksionimin normal të sektorëve të caktuar, jo vetëm të transportit dhe komunikacionit, por edhe sektorë të tjerë të industrisë që kërkojnë planifikim të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, deklaruan nga Ministria e Ekonomisë.

Lëvizja e akrepave të orës si fenomen ndodh dy herë në vit: të dielën e fundit të tetorit dhe në të dielën e fundit të marsit, kohë kur ora shkon para.

E kujt ishte ideja që ora të ndryshohet?

Një anglez i quajtur William Willett në vitin 1907 prezantoi idenë e ‘Kohës Verore’, në mënyrë që njerëzit të mos i çojnë kot orët e çmuara të dritës gjatë mëngjeseve verore.

Ai e mendoi këtë ide në mënyrë që t’i nxirrte njerëzit nga shtrati më herët, duke e ndryshuar orën. Ai propozoi se ora duhet të shtyhet për 80 minuta në katër hapa progresiv gjatë muajit prill dhe në të njëjtën mënyrë gjatë muajit shtator.

Willett pastaj kaloi pjesën tjetër të jetës së tij duke u përpjekur për t’i bindur njerëzit se skema e tij ishte e duhura.