“Tatuazhet dhe arti i trupit”, ekspozita që zbërthen trupin si art nga Enisa Ajruli, do të shfaqet të shtunën në Tetovë
Të shtunën më (25 tetor), në hapësirat e I.N. Galeria e Arteve në Tetovë, me fillim nga ora 19:00, do të hapet ekspozita personale e artistes Enisa Ajruli, e titulluar “Tatuazhet dhe arti i trupit”. Përmes punimeve të saj, Enisa Ajruli hulumton lidhjen mes identitetit, përkatësisë dhe estetikës, duke e vendosur trupin në qendër të një dialogu vizual mes traditës dhe modernitetit, shkruan Portalb.mk.
Enisa Ajruli për Portalb.mk tha se kjo ekspozitë sjell një qasje të veçantë dhe bashkëkohore ndaj trupit njerëzor si kanavacë e artit dhe si hapësirë e shprehjes personale.
“Ideja për këtë ekspozitë lindi nga dëshira për të eksploruar trupin e njeriut jo vetëm si formë biologjike, por si kanavace arti, ku kultura, identiteti, historia dhe ndjenja shprehen përmes ngjyrës, formës dhe simbolit. Tatuazhet më pëlqejnë sepse janë art i gjallë. Për mua si artiste, tatuazhet përfaqësojnë një ndërthurje mes identitetit personal dhe krijimtarisë vizuale. Ato janë më se dekore mbi lëkurë, janë simbolike, histori dhe kujtime. Përgatitja e kësaj ekspozite ka zgjatur disa muaj në mënyrë aktive, por në të vërtetë, procesi krijues ka filluar shumë më herët në mendje, në skica, në reflektime personale. Mediumet e përdorura janë fotografia me model dhe pikturat janë vaj në pëlhurë”, tha Ajruli.

Ajo shtoi se trupin e sheh si mjet shprehës për komunikim.
“Për mua, trupi është njëkohësisht mjeti dhe mesazhi. Kur e shoh trupin si mjet shprehës, ai bëhet platformë e hapur për komunikim, një sipërfaqe ku mund të vizatosh, të shprehësh ide, bukuri apo dhimbje. Çdo shenjë mbi të qoftë tatuazh, plagë, rrudhë etj, përfaqëson një histori intime, një kujtim që ka domethënie vetëm për atë që e mban”, tha Ajruli.

Ajruli shtoi se në veprat e saj ka përfshirë modele reale, dhe se edhe më tej do të vazhdon të punoj në të njëjtën linjë krijuese.
“Në këtë ekspozitë kam përfshirë modele reale. Modelet që kam fotografuar apo marrë si reference për pikturat janë gratë (njerëz), të vërtetë, me tatuazhe që kanë domethënien e tyre. Në vendin ku jetojmë, tema e trupit ende perceptohet me ndrojtje, dhe shpesh është e mbuluar nga paragjykime sociale, fetare apo kulturore. Tatuazhet shihen ende nga një pjesë e shoqërisë si rebelim, devijim ose mungese “serioziteti”. Po ashtu, piktura apo fotografia me modele gjysmë nudo vazhdon të përballet me censurë morale, edhe kur synimi nuk është aspak erotik, por artistik. Kjo ekspozitë nuk është bërë për të provokuar, por për të hapur një hapësirë ku mund të shohim trupin ndryshe- jo si objekt, jo si turp, por si vend ku arti dhe jeta ndërthuren. Pas kësaj ekspozite, do të vazhdoj të punoj në të njëjtën linjë krijuese, me fokus te trupi dhe portreti. Projektet e ardhshme do të përfshijnë akte dhe portrete. Të jesh artiste grua në Maqedoninë e Veriut dhe rajon, është të krijosh mes asaj që ndjehet thellë brenda teje, dhe asaj që pritet prej teje. Në një shoqëri ku trupi i gruas shpesh shihet si tabu, sidomos kur është i zhveshur, i tatuazhuar, apo i paraqitur si subjekt i artit, vendosa pikërisht trupin në qendër të kësaj ekspozite”, tha Ajruli.

“Tatuazhet dhe arti i trupit” nuk janë vetëm shenja apo ornamente, por rrëfime të heshtura që flasin për përjetime, kujtesë dhe individualitet. Artistja përdor një gjuhë vizuale të ndjeshme dhe eksperimentale, ku ngjyrat, format dhe teksturat krijojnë një narrativë që fton shikuesin të reflektojë mbi konceptin e trupit si identitet i lëvizshëm dhe i shumëkuptimshëm. Ekspozita pritet të ngjallë interes të gjerë në publikun e Tetovës dhe më gjerë, duke ofruar një përvojë të veçantë estetike dhe emocionale.
