Serbia pas Vuçiqit: Mundësi për ndryshim, por jo garanci për transformim demokratik
Ndryshimi i pushtetit në Serbi hap një kapitull të ri për vendin dhe Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, largimi i Aleksandar Vuçiqit nuk nënkupton automatikisht ndryshimin e sistemit politik, të politikës së jashtme apo të qëndrimit ndaj Kosovës.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme që pritet nga Serbia pas Vuçiqit është forcimi i sundimit të ligjit dhe dobësimi i rrjeteve klienteliste të ndërtuara gjatë qeverisjes së Partisë Përparimtare Serbe (SNS). Institucionet mund të fitojnë më shumë pavarësi, ndërsa lufta kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të pushtetit ka gjasa të marrë një shtytje të re. Megjithatë, strukturat e krijuara gjatë më shumë se një dekade nuk pritet të çmontohen lehtë.
Sfida e parë mbetet qëndrueshmëria politike. Shumica e re parlamentare mund të rezultojë e brishtë, veçanërisht nëse forcat që e përbëjnë kanë dallime të thella ideologjike dhe programore. Një situatë e tillë do t’i krijonte hapësirë Vuçiqit dhe SNS-së të riorganizohen, të shfrytëzojnë pakënaqësitë dhe të rikuperojnë një pjesë të mbështetjes së humbur. Prandaj, ndryshimi i pushtetit nuk nënkupton domosdoshmërisht fundin e ndikimit politik të Vuçiqit.
Në politikën e jashtme, pritet një afrim më i madh me Bashkimin Evropian. Qeveria e re ka mundësi të përshpejtoje proceset lidhur me integrimin evropian dhe të zbusë retorikën antievropiane që ka karakterizuar një pjesë të madhe të mediave serbe. Një ndryshim i tillë mund të ndikojë pozitivisht edhe në opinionin publik, ku për vite me radhë mesazhet kontradiktore të pushtetit kanë ushqyer skepticizmin ndaj BE-së.
Për Ballkanin Perëndimor, zhvillimet në Serbi janë lajm i mirë. Një Serbi më demokratike, më e orientuar drejt Evropës dhe më pak konfliktuoze mund të kontribuojë në stabilitetin rajonal. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Malin e Zi, i cili po përparon drejt anëtarësimit në BE dhe ku ndikimi politik i Beogradit ka qenë shpesh burim tensionesh të brendshme. Njëjtë edhe për Shqipërinë, e cila konsiderohet ndër kandidatët seriozë për anëtarësim në BE, por e cila kalon një periudhë të vështirë politike, të shoqëruar me protesta dhe tensione të brendshme. Ndryshimi i pushtetit në Serbi mund të ndikojë edhe në dinamikën e këtyre protestave. Ai mund të nxisë qetësimin e tensioneve, ose përkundrazi, mund t’u japë shpresë të re protestuesve se ndryshimi politik është i mundur, edhe kur duket i largët. Pasi edhe në Serbi, procesi që çoi drejt ndryshimit nisi me protesta studentore.
Ndryshimi i pushtetit në Serbi mund të ketë pasoja edhe për aleatët politikë të Vuçiqit në rajon. Kryeministri i vendit tonë, Hristijan Mickoski, i cili ka kultivuar marrëdhënie të afërta me presidentin serb, humbet një partner të rëndësishëm politik. Kjo nuk do të thotë automatikisht dobësim i menjëhershëm i pozitës së tij në vend, por mund të ndikojë në ekuilibrat dhe aleancat politike rajonale.
Megjithatë, në marrëdhëniet me Kosovën nuk priten ndryshime thelbësore. Qëndrimi ndaj pavarësisë së Kosovës mbështetet në një konsensus të gjerë politik dhe shoqëror në Serbi, që shkon përtej Vuçiqit dhe SNS-së. Qeveria e re mund të adoptojë një ton më konstruktiv dhe një qasje më pragmatike në dialogun me Prishtinën, por njohja e Kosovës mbetet një perspektivë e largët.
Edhe në marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën ka gjasa të mbizotërojë vazhdimësia. Udhëheqja e re pritet të distancohet nga afërsia simbolike e Vuçiqit me Kremlinin dhe të shmangë gjeste politike, si vizitat në Moskë, që bien ndesh me orientimin evropian. Megjithatë, bashkëngjitja e Serbisë sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë nuk duket se ka gjasa te mëdha te ndodhe. Lidhjet energjetike, ekonomike dhe politike, si dhe qëndrimet e opinionit publik, vazhdojnë të kufizojnë mundësitë për një ndryshim të shpejtë. Edhe bashkëpunimi ekonomik me Kinën pritet të vazhdojë, ndonëse mund të shoqërohet me më shumë transparencë dhe kontroll institucional.
Serbia pas Vuçiqit përfaqëson një mundësi të rëndësishme për demokratizim, por jo një garanci për ndryshim rrënjësor. Sfida kryesore nuk është vetëm zëvendësimi i një lideri, por ndryshimi i mënyrës së ushtrimit të pushtetit. Nëse qeveria e re arrin të forcojë institucionet, të rivendosë sundimin e ligjit dhe të krijojë një marrëdhënie më të sinqertë me Bashkimin Evropian dhe me fqinjët në Ballkan, përfitimet mund të shtrihen përtej kufijve të Serbisë. Përndryshe, ekziston rreziku që ndryshimi politik të mbetet vetëm një ndërrim i aktorëve, pa transformuar sistemin që i ka mbajtur ata në pushtet.