Tarifat dhe lufta tregtare në 2025
Ndërsa ndryshimet në politikën ndërkombëtare janë një proces i pashmangshëm, e tashmja dhe e ardhmja e shteteve zakonisht bazohet në historinë e marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe. Në këtë proces nuk kanë munguar garat në mes shteteve qoftë për burime dhe dominim ndaj shteteve të tjera.
Megjithatë, gjatë shekujve 20 dhe 21, konkurrenca strategjike e shteteve të mëdha nuk ka kaluar kurrë pa pasoja për më të dobëtit apo shtetet që qëndrojnë në mes. Në ndërkohë, fitorja e Donald Trampit në SHBA na kujton veprimet e tija të mëhershme në politikën e jashtme, në raportet tregtare me kundërshtarët, miqtë dhe aleatët. Gjatë fushatës zgjedhore në SHBA, Kina dhe shtetet evropiane ishin objektivi i fjalimeve të Trampit.
Për ne me rëndësi është të shohim veprimet e administratës së Trampit me BE-në, rolin e saj në këtë dekadë me ndikim në Ballkan, dhe natyrisht lufta tregtare apo tarifat e SHBA-së ndaj BE dhe Kinës. Në garën në mes SHBA-së dhe Kinës, do të jetë e vështirë që BE-ja dhe Evropa të përshtaten.
Kur kësaj gare i shtohen paqartësitë dhe të papriturat në shtetet që janë në garë, atëherë frika për të tjerët është më e madhe. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Donald Trump u zgjodh nga amerikanët për të mbrojtur interesat e amerikanëve.
“Pyetja që ne si evropianë duhet t’i bëjmë vetes është, a jemi gati të mbrojmë interesat e evropianëve”? Shqetësimi i presidentit Macron është i drejtë, pasi BE-ja duhet të bëjë më shumë për të mbajtur statusin global së paku në tre dekadat që vijnë. Dhe për këtë pasiguri të vazhdueshme, Evropa duhet të jetë e përgatitur gjatë 2025 për të ngjarje të pritura e të papritura.
Tregtia, ekonomia dhe konkurrenca për dominim ushtarak në vitet me Trampin do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në BE, dhe natyrisht në Ballkan. Por, kur konkurrenca është në zhvillim dhe fuqitë dominuese janë në një garë të ngushtë, është e vështirë që BE-ja t’i kushtojë vëmendje të gjithë miqve.
Megjithatë, le të qëndrojmë tek lufta tregtare që mund të shpërthejë në mes SHBA-së dhe Kinës pa lënë anësh BE-në. Marrëdhëniet BE-Kinë veçanërisht pozicioni i BE-së në këtë kohë do të kërkojë bashkimin e të gjitha forcave evropiane për të mbajtur unionin të fortë nga pasojat e luftës tregtare të Kinës dhe SHBA-së.
Shtetet evropiane të zëna ngushtë në mes dy superfuqive, veçanërisht gjatë 2025 do të duhet patjetër të vënë në lojë të gjitha mjetet ekonomike për të përballuar një krizë të mundshme në BE. Përveç ekonomisë, shtetet evropiane pavarësisht se janë anëtare të NATO-s, e kanë patjetër të bëjnë më shumë për sigurinë dhe mbrojtjen. BE-ja në këtë luftë të re tregtare që është e pashmangshme ka disa avantazhe gjeo-ekonomike.
BE-ja me një buxhet 19.40 trilion (PPK), dhe popullatë 326,7 milion mban një status të barabartë pothuajse me SHBA-në dhe Kinën në nivel global. Tregtia dhe teknologjia në BE është në nivelin më të lartë. BE-ja po ecën shumë mirë në këto fusha me një konkurrencë të madhe ndaj Kinës, SHBA-së dhe shteteve aziatike. BE-ja është partner i madh tregtar si me SHBA-në dhe Kinën.
Në këtë drejtim pavarësisht se SHBA-ja do të ketë një udhëheqje të re të kryesuar nga Donald Trampi, BE-ja do të jetë e aftë të përballojë këtë sfidë ashtu si gjatë mandatit të parë të Trampit (2016-20). Për sa i përket përfshirjes globale amerikane gjatë Trampit, SHBA-ja do të jetë e përshirë në çështjet e Evropës, e këtu flitet për fatin e Ukrainës dhe disa pikave të nxehta në Ballkan.
Këtu shtetet evropiane gjatë bisedimeve për të ardhmen e Ukrainës mund të luajnë rol kryesorë në rindërtimin ekonomik, duke parandaluar depërtimin ekonomik kinez në rimëkëmbjen e Ukrainës. Të kthemi në garën tregtare dhe tarifat amerikane që mund të shkojnë deri në 30 përqind për mallrat evropiane dhe ato kineze deri mbi 100 përqind.
Nga këndvështrimi historik, SHBA-ja dhe BE-ja që nga Lufta e Dytë Botërore kanë pasur marrëdhënie të shkëlqyera tregtare. Pavarësisht shkëmbimit tregtarë aktual në mes SHBA-së dhe BE-së që shkon në mbi 1 trilion dollarë, çështja e tarifave mbetet sfida më e madhe në mes e cila mund të thellohet në një krizë të re pas janarit 2025.
Kjo mund t’i hapë BE-së një rrugë të re drejt Kinës në një qasje të re në mes dy gjigantëve në tregtinë globale. Nëse SHBA-ja do të përpiqet të nxjerrë nga loja BE-në, ndikimi global do të ishte i madh. SHBA nuk mund të përballojë një luftë globale të tarifave me BE-në, Kinën dhe gjithë botën. Administrata e Trampit si duket do të vendosë tarifa të veçanta për shtetet evropiane si masë për të mbrojtur interesin amerikan, por shumë kritikë thonë se kjo mund të ketë efekte negative për konsumatorët në SHBA.
Pavarësisht frikës, shtetet evropiane duhet të promovojnë konkurrencë duke nxjerrë në pah zbulimet shkencore, pasi nuk duhet të lejojnë që marrëdhëniet e ndërlikuara në mes SHBA-së dhe Kinës të kenë ndikim në BE, natyrisht dhe në Ballkan. Çështjet ekonomike shtetet duhet t’i zgjidhin me rritjen e prodhimit të brendshëm e jo me luftëra të panevojshme.
Andaj në këtë kohë, diplomacia do të ketë rol si asnjëherë më parë në menaxhimin e marrëdhënieve dhe mosmarrëveshjeve në mes shteteve. Tarifat e larta midis SHBA-së, BE-së dhe Kinës do ta bënin shumë të vështirë rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rritjen e të dobëtëve, veçanërisht shtetet e Ballkanit. Dhe sigurisht, ata që shpresojnë për integrim në tregjet globale.
Prandaj ndryshimet drastike në ekonominë globale dhe tarifat e larta do të ndikojnë në stabilitetin e vendeve.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.