Sulmet më të sakta dhe më të shpeshta të Ukrainës godasin industrinë e naftës së Rusisë

Zëvendëskryeministri rus vazhdonte të ecte, por nuk po arrinte t’i shmangej një grupi gazetarësh me pyetje rreth krizës në rritje të karburanteve në vend, raporton Radio Evropa e Lirë.

Aleksandr Novak pranoi se prodhimi i naftës kishte rënë për shkak të “mirëmbajtjes së paplanifikuar” në rafineri, por refuzoi të thoshte se pse ishte e nevojshme ajo.

Kjo ndodhi më 4 qershor. Më 9 qershor, Ministria e Energjisë publikoi një deklaratë që e sqaroi çështjen.

“Kompanitë në sektorin e karburanteve dhe energjisë janë përballur me një rritje të sulmeve ajrore armike që kanë çuar në komplikime të përkohshme në furnizime”, thuhej në të.

Kjo ishte hera e parë që autoritetet ruse pranonin se sulmet e intensifikuara të Ukrainës ndaj sektorit të naftës gjatë këtij viti kishin çuar në ulje të prodhimit dhe mungesa. Dhe kjo erdhi me një pranim nga presidenti rus, Vladimir Putin, se Rusia kishte nevojë për mbrojtje më të mira ajrore.