Sulmet izraelite vranë të paktën 59 palestinezë në Gazë

Sulmet izraelite në të gjithë Gazën vranë të paktën 59 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, thanë zyrtarë spitalorë të mërkurën, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Gjatë sulmeve është goditur edhe një shkollë që strehonte qindra palestinezë të zhvendosur, ku u vranë 27 njerëz të martën mbrëma, sipas zyrtarëve të spitalit Al-Aksa, përfshirë nëntë gra dhe tre fëmijë. Kjo ishte hera e pestë që shkolla në Gazën qendrore është goditur që nga fillimi i luftës.

Një sulm në orët e para të mëngjesit të mërkurën ndaj një shkolle tjetër të kthyer në strehimore në qytetin e Gazës vrau 16 njerëz, sipas zyrtarëve të spitalit Al-Ahli, ndërsa sulme të tjera në zona të ndryshme vranë të paktën edhe 16 njerëz të tjerë.

Shkolla e kthyer në strehimore në Bureij, një kamp refugjatësh urban i populluar, shpërtheu në zjarr. Paramedikët dhe ekipet e shpëtimit nxituan për t’i nxjerrë njerëzit nga flakët.

Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar sulmet.

Izraeli fajëson Hamasin për numrin e viktimave, duke thënë se operon nga infrastrukturë civile, përfshirë shkolla.

Hamasi e mohon këtë.

Në fillim të javës, Izraeli e aprovoi një plan për ta uzurpuar tërë Rripin e Gazës dhe për të qëndruar në territorin palestinez për një kohë të papërcaktuar.

Lufta gjenocidale e Izraelit i ka vrarë më shumë se 52.000 njerëz në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.