Sulmet izraelite vranë 20 njerëz në Gazë, përfshirë një gazetar
Ushtria izraelite kreu sulme ajrore në Rripin e Gazës të dielën, duke i vrarë të paktën 20 palestinezë në të enklavën palestineze, përfshirë një gazetar vendas dhe një zyrtar të lartë të shërbimit të shpëtimit, sipas autoriteteve shëndetësore, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Izraeli kreu sulme të ndara në Han Junis në jug, në Xhabalia në veri dhe Nuseirat në pjesën qendrore të Gazës.
Në Xhabalia, mjekët thanë se gazetari Hassan Majdi Abu Warda dhe disa anëtarë të familjes së tij u vranë nga një sulm ajror që goditi shtëpinë e tij mëngjesin e së dielës.
Ushtria izraelite nuk i ka komentuar deri tani sulmet e së dielës.
Numri i gazetarëve të vrarë në Gazë që nga fillimi i luftës më 2023 është rritur në 20.
Izraeli është duke e vazhduar ofensivën e tij ushtarake dhe deri tani ka lejuar ndihmë minimale të hyjë në territorin palestinez.
Gaza ka qenë nën bllokadën izraelite për gati tre muaj, dhe ekspertët paralajmërojnë se shumë nga 2 milionë banorët e saj janë në rrezik të madh urie të skajshme.
Edhe Shtetet e Bashkuara, mbështetësit më të mëdhenj të Izraelit, kanë shprehur shqetësime për krizën e urisë.
Më pak se gjysma e pengjeve që ndodhen ende në Gazë besohet se janë gjallë.
Lufta në Gazë filloi në tetor të vitit 2023 dhe prej atëherë, lufta gjenocidale e Izraelit i ka vrarë më shumë se 53.000 njerëz në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë.