Spiropali në mbështetje të studentëve në RMV: Gjuha shqipe është e drejtë themelore, jo temë diskutimi

Ish-ministrja për Punë të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar lidhur me protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës. Spiropali thekson se protesta nuk është thjesht një reagim i momentit, por një sinjal se “diçka thelbësore nuk po funksionon siç duhet” në zbatimin praktik të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Sipas saj, kur të drejtat kërkohen në rrugë, lind nevoja për reflektim serioz institucional, transmeton Portalb.mk.

Ajo nënvizon se gjuha shqipe nuk mund të jetë objekt diskutimi apo kompromisi, por përbën një të drejtë themelore që duhet të zbatohet në përditshmëri dhe jo të mbetet vetëm në letër. Në këtë kontekst, Spiropali e cilëson protestën e studentëve si një thirrje për forcimin e standardeve dhe garantimin e barazisë.

“Një vijë e hollë e ndan dinjitetin nga heshtja. Kështu ka qenë ngahera. Të protestosh sot për gjuhën shqipe nuk është vetëm alarm. Është një sinjal që diçka thelbësore sërish nuk po funksionon siç duhet. Kur një e drejtë që parashikohet në Kushtetutë dhe në ligj kërkohet në rrugë, atëherë lind nevoja për më shumë vëmendje dhe reflektim mbi zbatimin e saj në praktikë. Sepse të drejtat nuk duhet të mbeten vetëm në letër; ato duhet të jetohen në përditshmëri. Gjuha shqipe nuk është çështje diskutimi. Nuk është kompromis. Nuk është temë për interpretim të paqartë institucional. Është e drejtë themelore. Protesta e studentëve sot është më shumë se një reagim. Është një thirrje e qartë për të forcuar standardet dhe për të garantuar të drejtat themelore. Një shtet që garanton gjuhën, forcon barazinë. Dhe një shtet që forcon barazinë, ndërton besim dhe stabilitet për të gjithë qytetarët e tij”, shkroi Spiropali.

Në reagimin e saj, Spiropali shpreh mbështetje për studentët, duke theksuar se ata po mbrojnë jo vetëm gjuhën, por edhe dinjitetin dhe parimet e një shoqërie të drejtë.

Ajo gjithashtu e vendos këtë zhvillim në një kontekst më të gjerë rajonal, duke theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave për dy vendet mike, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilat ndajnë aspiratën e përbashkët për integrim evropian. Sipas saj, forcimi i barazisë dhe respektimi i të drejtave nuk është vetëm detyrim, por edhe një drejtim i përbashkët drejt së ardhmes.

“Mbështetje për studentët që po mbrojnë jo vetëm gjuhën, por edhe dinjitetin e parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një shoqëri e drejtë. Kjo nuk është vetëm çështje e shqiptarëve. Kjo është një provë e rëndësishme për të gjithë, për mënyrën se si funksionon shteti në praktikë, jo vetëm në parim. Sidomos për dy vende mike, që ndajnë të njëjtin horizont dhe të njëjtën aspiratë evropiane, respektimi i të drejtave dhe forcimi i barazisë nuk është vetëm detyrim, por edhe drejtim i përbashkët”, tha Spiropali.

Mos ofrimi i provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase ka revoltuar studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut të cilët sot këtë të drejtë që ju mohohet do ta kërkojnë përmes protestës.

Protesta do të fillojë në ora 12:30 para Urës së Gurit në Shkup dhe do vazhdojë deri te Ministria e Drejtësisë, institucioni i cili nuk ua mundëson studentëve që këtë provim ta japin edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase.