Sot zyrtarisht u hap ambasada e Kazakistanit në Shkup
Sot në Shkup u hap zyrtarisht Ambasada e Kazakistanit, duke shënuar 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Ambasadori Satibaldi Burshakov, në fjalën e tij, theksoi se hapja e Ambasadës përfaqëson moment historik në marrëdhëniet midis Shkupit dhe Astanës, transmeton Portalb.mk.
“Po dëshmojmë një moment historik në zhvillimin e marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe Kazakistanit, pasi shënojmë 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Viti i kaluar ka qenë i mbushur me aktivitete dhe mund të them se kemi arritur rezultate të përbashkëta. Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve midis vendeve tona”, tha ambasadori i Kazakistanit në vend, Satibaldi Burshakov.
Ai theksoi se bashkëpunimi po thellohet në disa sektorë, duke përfshirë energjinë, shëndetësinë dhe teknologjinë, dhe tha se historia e përbashkët midis dy vendeve, duke aluduar në pavarësinë e vendeve në vitin 1991, ka hedhur një themel të fortë për partneritetin që po ndërtohet sot.
“Jemi të bindur se horizonte të reja po hapen para nesh dhe se iniciativat e përbashkëta do të vazhdojnë të forcojnë marrëdhëniet tona”, shtoi ambasadori kazak.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, i cili ishte i pranishëm në aktivitet, përshëndeti vendimin e Kazakistanit për të hapur një ambasadë në Shkup, duke e përshkruar atë si një hap miqësor dhe pozitiv.
“Në vitet e fundit, kemi qenë dëshmitarë të përparimit të dialogut tonë politik, avancimit të bashkëpunimit ekonomik, si dhe forcimit të mbështetjes ndërkombëtare. Hapja e një Ambasade rezidente është një shprehje e qartë e angazhimit të të dy vendeve për të forcuar komunikimin, pavarësisht dallimeve gjeografike”, tha Mucunski.
Në aktivitetin në Shkup morën pjesë përfaqësues diplomatikë dhe të ftuar nga sektori publik dhe privat.