Trump dhe Zelensky biseduan për armët dhe përshkallëzimin e sulmeve ruse
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të premten se ka biseduar për mbrojtjen ajrore me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe se janë pajtuar për të punuar për rritjen e aftësive të Kievit për ta “mbrojtur qiellin” teksa sulmet ruse po përshkallëzohen, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Zelensky shkroi në llogarinë e tij në Telegram se me liderin amerikan folën gjithashtu rreth prodhimit të përbashkët në industrinë e mbrojtjes, si dhe për blerjet dhe investimet e përbashkëta.
Ukraina ka kërkuar nga Uashingtoni që t’i shesë më shumë raketa dhe sisteme Patriot, të cilat i sheh si tejet të rëndësishme për t’i mbrojtur qytetet e veta nga bombardimet përshkallëzuese nga Rusia.
Gjermania tha se është në bisedime për blerjen e sistemeve mbrojtëse ajrore Patriot për ta mbushur boshllëkun.
Një ditë më parë, Trump tha se zhvilloi një telefonatë zhgënjyese me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Rusia goditi Kievin me sulmin më të madh me dronë që nga fillimi i luftës në kryeqytet, vetëm disa orë pas bisedës së Trumpit me Putinin të enjten.
Ndërkohë, kancelari gjerman, Friedrich Merz, bisedoi me Trumpin për mundësinë që Gjermanisë të blejë sisteme mbrojtëse ajrore Patriot për Ukrainën, sipas një zëdhënësi të qeverisë gjermane.
Merz ishte iniciator i telefonatës me Trump për t’i promovuar dërgesat e armëve në Ukrainë, veçanërisht raketat Patriot, pas vendimit të Pentagonit për të pezulluar disa dërgesa, tha zëdhënësi për Reuters të premten.