Sot shënohet përvjetori i botimit të “Alfabetares”, vepër që bashkoi përpjekjet për gjuhën shqipe
Më 27 shkurt shënohet përvjetori i botimit të “Alfabetare(s) së gjuhës shqipe”, një nga veprat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, e nxitur nga Sami Frashëri, Jani Vreto dhe Pashko Vasa dhe e botuar në Stamboll më 27 shkurt 1879, shkruan Portalb.mk.
Në një kohë kur shqipja shkruhej me alfabete të ndryshme, latin, grek dhe turko-arab, botimi i kësaj “Alfabetareje” u pa si kusht thelbësor për arsimin dhe përhapjen e librave në gjuhën amtare. Teksti nuk ishte thjesht abetare: ai përfshinte edhe njohuri të tjera, nga gramatika te historia e aritmetika, me synim edukimin e brezave në shqip.
Kjo nismë u lidh ngushtë me veprimtarinë e patriotëve shqiptarë të Stambollit dhe me përpjekjet për organizim kulturor, të cilat më vonë do të çonin edhe te themelimi i shoqërive që shtynin botimet në shqip.
“Alfabetarja…” u botua pak muaj pas miratimit të alfabetit të Stambollit dhe ishte vepër kolektive, ku u përfshinë jo vetëm mësime abetareje, por edhe gramatikë, histori, aritmetikë dhe edukatë shoqërore e morale. Ajo u bë një ndër gurët themeltarë të zhvillimit të kulturës e botimeve në shqip dhe një shembull i rrallë bashkëpunimi ndërmjet myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve në shërbim të Atdheut.
Çështja e alfabetit u zgjidh përfundimisht disa dekada më pas, në Kongresin e Manastirit më 14 nëntor 1908, ku u miratua alfabeti me shkronja latine që përdoret edhe sot.