Sot shënohet Dita e Verës, simbol i pranverës, gëzimit dhe traditës shqiptare
Sot shqiptarët kudo që ndodhen shënojnë Ditën e Verës, një nga festat më të vjetra të traditës shqiptare që simbolizon ardhjen e pranverës, ripërtëritjen e natyrës dhe fillimin e një cikli të ri të jetës, shkruan Portalb.mk.
Kjo festë me origjinë të lashtë pagane lidhet veçanërisht me qytetin e Elbasanit, prej nga është përhapur në të gjitha trevat shqiptare. Dita e Verës festohet me aktivitete familjare dhe qytetare, ku njerëzit dalin në natyrë, organizojnë pikniqe dhe shijojnë ushqimet tradicionale.
Një nga simbolet kryesore të kësaj dite janë ballokumet, ëmbëlsira tradicionale që përgatiten posaçërisht për këtë festë. Gjithashtu, fëmijët vendosin në dorë veroret, byzylykë të bërë me fije të kuqe dhe të bardhë, që sipas traditës simbolizojnë shëndetin dhe fatin e mirë.
Në shumë qytete shqiptare sot organizohen aktivitete kulturore, koncerte dhe panaire, ndërsa familjet mblidhen për të festuar së bashku dhe për të uruar një pranverë të mbarë.
Dita e Verës mbetet një simbol i identitetit kulturor shqiptar dhe i lidhjes së fortë me natyrën, duke përcjellë mesazhe gëzimi, shprese dhe fillimi të ri.