Protesta para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, iu vunë flaka kartonëve dhe koshave të mbeturinave

Në protestën e ditës së sotme, një grup protestuesish i kanë vënë flakën disa kartonëve dhe kazanëve të mbeturinave para Ministrisë së Arsimit, transmeton Euronews.

Kjo ka qenë dhe një nga mënyrat që studentët dhe qytetarët kanë përdorur për të shprehur revoltën e tyre ndaj qeverisë. Pjesë e grumbullimit sot kanë qenë gjithashtu edhe studentët e Mjekësisë.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, ashtu si edhe disa ditë më parë, kryeministri Rama ka përsëritur ftesën e tij për dialog, e cila deri më tani është refuzuar nga studentët.

Protesta e sotme hyn në ditën e saj të 15-të në të cilë nuk kanë munguar tensionet, përplasjet, dhuna dhe shoqërime nga policia. Ndërkohë, kujtojmë se protestës studentore, në shenjë solidariteti, i janë bashkuar edhe figura nga arti dhe kultura, pedagogët, si dhe qytetarë të shumtë.