Sot shënohet 100-vjetori i Kopshtit Zoologjik të Shkupit

Sot në Kopshtin Zoologjik të Shkupit do të mbahet organizim me të cilën zyrtarisht do të nisë shënimi i jubileut të madh, 100 vjet nga themelimi i ZOO Shkup, transmeton Portalb.mk.

Ngjarja është caktuar për në orën 11:00, ndërsa para vizitorëve do të prezantohen aktivitetet dhe projektet që do të realizohen me rastin e këtij përvjetori të rëndësishëm.

Organizatorët paralajmërojnë përmbajtje të dedikuara për të gjitha gjeneratat, me theks të veçantë te vizitorët më të vegjël. Për fëmijët është përgatitur një program edukativ dhe muzikor, i mbushur me argëtim, mësim dhe shoqërim, me qëllim që jubileu të shënohet në një atmosferë festive dhe familjare.

Nga Kopshti Zoologjik i Shkupit theksojnë se ky event do të jetë fillimi i rrëfimit për një shekull ekzistence, zhvillimi dhe përkujdesjeje për kafshët, por edhe një mundësi që publiku të njihet më nga afër me planet dhe projektet e ardhshme.

Me këtë ngjarje, simbolikisht do të shënohet nisja e festimeve për 100-vjetorin e një prej institucioneve më të njohura në qytet, thonë organizatorët.