Në RMV, Shqipëri dhe Kosovë, hynë në fuqi tri marrëveshjet në kuadër të procesit të Berlinit

Sot në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës, hynë në fuqi tri marrëveshjet e nënshkruara më 3 nëntor të vitit 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit – Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë në Ballkanin Perëndimor me Letërnjoftime, Marrëveshja për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë dhe Marrëveshja për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve, transmeton Portalb.mk.

Marrëveshjet pritet të hyjnë në fuqi në tre vendet e tjera nënshkruese, në pajtim me procedurat e përfunduara ligjore në to – Republikën e Serbisë, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.

Me to mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve vetëm me letërnjoftime brenda Ballkanit Perëndimor; mundësohet lëvizshmëria e studentëve, profesorëve dhe punonjësve akademikë, ndërsa procedurat e njohjes shkurtohen nga disa muaj në dy javë dhe pa shpenzime; mjekët, dentistët dhe arkitektët do të mund të ofrojnë shërbimet e tyre lirisht në të gjithë rajonin.

“Secila prej këtyre marrëveshjeve ofron mundësi specifike për t’i ndihmuar qytetarët tanë ta përdorin potencialin e tyre, t’i zgjerojnë përvojat e tyre dhe të kontribuojnë në të mirën e rajonit tonë. Marrëveshjet paraqesin hap të rëndësishëm përpara në përpjekjet tona për t’u ofruar qytetarëve lirinë e lëvizjes dhe integrimit, si kusht për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, i cili do të paraqet rrugën më të sigurt dhe më të shpejtë për të arritur qëllimin tonë të përbashkët – anëtarësimin në Bashkimin Europian”, theksoi sot Ministri, Osmani.

Kujtojmë se si depozitues i këtyre marrëveshjeve të rëndësishme është zgjedhur Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

Më 19 prill të këtij viti, Kuvendi i i Republikës së Maqedonisë së Veriut, miratoi tri marrëveshje ndërkombëtare që ishin pjesë e Procesit të Berlinit.

“Janë miratuar disa vendime për plotësimin e trupave punues të Kuvendit. Kuvendi, gjithashtu, i miratoi ligjet për ratifikimin e tre marrëveshjeve të nënshkruara nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit në nëntorin e vitit të kaluar”, thanë nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Samiti i Procesit të Berlinit, synon të intensifikojë bashkëpunimin dhe lidhjen rajonale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Fokusi i procesit të Berlinit është përforcimi dhe avancimi i bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor me mbështetjen e Komisionit Evropian. Ky bashkëpunim është në fushën e proceseve reformuese, tregjeve të përbashkëta, njohjes reciproke të kualifikimeve profesionale, lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave dhe duhet të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin e përshpejtuar rajonal ekonomik.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në asistimin e tyre në procesin e integrimit në BE, proces ky i filluar në 2014, nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.